Liderët e Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmejtësimin e Gjermanisë dhe Francës arritën nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit për konfliktin e ashpër në lindje të Ukrainës, pas maratonës së gjatë të bisedimeve diplomatike. Lajmi u bë me dije nga Presidenti rus Vladimir Putin gjatë një deklarate për shtyp, ku tha se trupat ushtarake dhe armatimet e rënda do të largohen nga zona e konfliktit gjatë dy javëve të ardhshme. 

 “Ne arritëm një marrëveshje mbi çështjet kryesore dhe kërkojmë nga të dy palët të tërheqin trupat ushtarake dhe armatimet e rënda, pa gjakderdhje dhe pa incidente. Ne arritëm një marrëveshje me presidentin e Ukrainës, Poroshenko, dhe do t’i japim urdhër ushtarëve tanë të vëzhgojnë se çfarë po ndodh në vijën kufitare”, deklaroi Putin.

Marrëveshja e nënshkruar nga Vladimir Putin, Petro Poroshenko, Angela Merkel dhe Francois Holande, pas 16 orë bisedimesh në Pallatin e Pavarësisë në Minsk të Bjellorusisë, me ftesën e presidentit të vendit Aleksandër Lukashenko, do të hyjë në fuqi me 15 shkurt.

Nënshkrimi i saj ishte përpjekja e fundit për t’i dhënë zgjidhje në mënyrë diplomatike konfliktit që ka lënë më shumë se 5 mijë persona të vrarë që prej muajit prill të 2014-tës. Më herët presidenti i Ukrainës deklaroi për mediat se disa kushte të Rusisë ishin të papranueshme. Liderët pjesmarrës në bisedime, konfirmuan se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës është respektuar, ndonëse pranohet se do të ketë ende shumë punë për të bërë.

Edhe lideri i rebelëve pro-Rusë ka nënshkruar marrëveshjen, ndërsa liderët europianë do të takohen më vonë gjatë ditës në një samit të përbashkët, në mbështetje të pikave të këtij pakti paqeje. Mes pikave që u ranë dakord është dhe lirimi i të burgosurve të të dy palëve si dhe kontrolli i kufijve kombëtarë nga Ukraina deri në fund të këtij viti.

Rusia është akuzuar nga perëndimi për armatimin dhe dërgimin e trupave ushtarake në ndihmë të rebelëve pro-rusë të cilët që prej prillit të vitit të kaluar luftojnë kundër forcave qeveritare të Kievit. Mijëra civilë kanë braktisur shtëpitë e tyre pas përshkallëzimit të situatës në sulme intensive duke krijuar një shpërngulje masive.

Pikat për të cilat palët kanë rënë dakord janë: 

1. Që armëpushimi të nisë në 00:01 me orën lokale më 15 shkurt; 

2. Që armatimet e rënda të tërhiqen nga zonat e luftës më 17 shkurt dhe që tërheqja të përfundojë brenda dy javësh; 

3. Të gjithë të burgosurit të lirohen dhe amnisti për ata të përfshirë në luftime;

4. Të tërhiqen të gjitha fraksionet e armatosura të huaja, armatimet e rënda dhe mercenarët nga territori ukrainas; 

5. Që Ukraina të lejojë rifillimin e jetës normale në zonat e kontrolluara nga rebelët duke hequr kufizimet; 

6. Hartimin e një reforme kushtetuese që të mundësojë decentralizimin për rajonet e rebelëve brenda vitit 2015;

7. Që Ukraina të kontrollojë kufirin me Rusinë nëse kushtet plotësohen brenda vitit 2015. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)