Gjiganti i elektronikës Samsung ka deklaruar se “mohojmë çdo akuzë për keqpërdorim të qëllimshëm” pasi avokatët e Dua Lipës njoftuan se do të padisnin kompaninë për përdorimin pa leje të imazhit të saj.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, Samsung tha se imazhi ishte siguruar nga një partner përmbajtjeje, i cili kishte deklaruar se ishte marrë leja për përdorimin e tij.
“Imazhi i Lipës u përdor në vitin 2025 për të pasqyruar përmbajtjen e partnerëve tanë të palëve të treta që janë të disponueshëm në televizorët Samsung dhe fillimisht u sigurua nga një partner përmbajtjeje për shërbimin tonë falas të transmetimit Samsung TV Plus,” thuhej në deklaratë.
“Imazhi u përdor vetëm pasi morëm garanci të qarta nga partneri i përmbajtjes se ishte siguruar leja, përfshirë edhe për kutitë e shitjes me pakicë. Duke pasur parasysh këtë garanci, ne mohojmë çdo akuzë për keqpërdorim të qëllimshëm. Samsung ka respekt të madh për Lipën dhe për pronësinë intelektuale të të gjithë artistëve. Ne e kemi kërkuar në mënyrë aktive dhe mbetemi të hapur për një zgjidhje konstruktive me ekipin e zonjës Lipa’”, thotë kompania.
Dokumentet e paraqitura në Gjykatën e Qarkut të SHBA-ve për Distriktin Qendror të Kalifornisë tregojnë se këngëtarja po padit kompaninë koreano-jugore për 15 milionë dollarë.
Samsung përdori një fotografi në paketimin e disa prej televizorëve dhe injoroi kërkesat e përsëritura për të “ndaluar dhe hequr dorë nga shkelja e të drejtave të saj”, sipas pretendimeve të këngëtares.
Sipas padisë, fotografia e përdorur është bërë në prapaskenë në Austin City Limits Festival në Austin, në vitin 2024.
Në dokumente thuhet se gjatë dekadës së fundit Dua Lipa “ka krijuar një nga markat artistike më të suksesshme dhe më të njohura në botë”, duke përmendur bashkëpunime me Chanel, Versace, Yves Saint Laurent, Porsche dhe Apple, ndër të tjera.
Komente







