Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho ka dënuar ashpër sanksionet me gjoba të vendosura nga qeveria nëse nuk zbatohen masat e marra për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit.

Sipas Spahos, kjo pandemi nuk luftohet me gjoba por me një plan të qartë social-ekonomik. Demokrati ka publikuar një video në Facebook, ku bën krahasim e masave të marra nga Italia dhe ato në Shqipëri në lidhje me garancitë ekonomike që duhet t’u jepet qytetarëve duke e cilësuar Ramën si kryeministër të skaduar.

Nuk luftohet virusi dhe pasojat e tij social-ekonomike vetëm me gjoba, gjoba, gjoba. Sot ekonomia shqiptare ka nevojë për garanci dhe mbështetje! Duhet përgjegjshmëri dhe një plan i qartë social - ekonomik.

Pa buxhet në dispozicion nuk blihen mjetet mbrojtëse për mjekët. Pa buxhet në dispozicion nuk paguhen qytetarët që po detyrohen të rrinë në shtëpi. Pa buxhet nuk ndihmohen më të varfrit! Pa buxhet në dispozicion nuk rimbursohen bizneset. Kryeministër I skaduar”, shkruan Spaho.

Koronavirusi ka ndikuar negativisht në ekonominë e të gjithë botës dhe sigurisht që Shqipëria nuk do të bëj përjashtim, por vetë Rama tha se për këtë do të mendohet në një moment të dytë, pasi të gjithë të kemi kaluar së bashku dhe fituar luftën me këtë armik të padukshëm.