Sanksionet dobësojnë ndikimin e Rusisë në Azinë Qendrore

Sanksionet dobësojnë ndikimin e Rusisë në Azinë Qendrore

Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti kazak Kassym-Jomart Tokayev gjatë një takimi në Kremlin

UASHINGTON - Ndikimi i Rusisë në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore pritet të bjerë ndërsa ushtria e saj po përballet me vështirësi në Ukrainë dhe ekonomia e saj po përjeton pasojat e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, thonë ekspertët.

Rusia ka ushtruar prej kohësh ndikim në pesë vende të rajonit - Uzbekistan, Kazakistan, Kirkistan, Turkmenistan dhe Taxhikistan - për shkak të të ardhurave të emigrantëve nga këto vende që punësohen në Rusi, thotë Jennifer Brick Murtazashvili, drejtuese e Qendrës për Qeverisjen dhe Tregjet në Universitetin e Pitsburgut.

Të dhënat e publikuara në muajin mars nga Banka Botërore nënvizojnë rëndësinë e këtyre të ardhurave, për të cilat ajo thotë se në disa raste "ishin të krahasueshme, ose edhe më të mëdha, se eksportet e mallrave dhe shërbimeve nga këto vende".

"Në të kaluarën, vendet e Azisë Qendrore i druheshin Rusisë për shkak se e kuptonin që (marrëdhënia e tyre ekonomike) do të ndryshonte në rast se ofendonin Moskën", i tha Zërit të Amerikës zonja Murtazashvili. Por, thotë ajo, balanca ka ndryshuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe këto pesë vende "tashmë e kuptojnë se Rusia ka nevojë shumë të madhe për krahun e punës nga Azia Qendrore".

"Këto vende e kuptojnë se tashmë kanë ndikim dhe po fillojnë të kuptojnë se mund ta ushtrojnë atë", tha ajo. "Momentalisht, shohim një Azi Qendrore më të fortë që do të ketë më shumë liri për të zgjedhur mes fuqive të mëdha".

Dobësia e Rusisë i çel derën Kinës për të luajtur një rol më të madh në rajon, por shton mundësitë edhe për vende të tjera që dëshirojnë të bëjnë biznes në rajon, thotë zonja Murtazshvili.

Të martën, pikërisht tre muaj pasi Rusia filloi agresionin në Ukrainë, Kina premtoi 37.5 milionë dollarë "asistencë falas financiare" për Uzbekistanin "për zbatimin e projekteve të përbashkëta me domethënie sociale", sipas njoftimeve të bëra nga qeveria uzbeke.

Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Uzbekistanit për investimet dhe tregëtinë e jashtme, Aziz Voitov, dhe ambasadori kinez në Tashkent, Jiang Yan, sipas një deklarate të publikuar në faqen në internet të Ministrisë së Investimeve dhe Tregëtisë së Jashtme të Uzbekistanit.

Një ditë më herët, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, Donald Lu, kryesoi një delegacion amerikan në një udhëtim pesëditor në rajon, në Republikën Kirkize, në Uzbekistan, Taxhikistan, dhe Kazakistan.

Sipas Departamentit të Shtetit, qëllimi i udhëtimit është "forcimi i marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me rajonin dhe avancimi i përpjekjeve të bashkëpunimit për të krijuar një Azi Qendrore më të ndërlidhur, më të begatë dhe më të sigurtë".

Javën e kaluar, Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua në Uashington me Mukhtar Tileuberdin, ministrin e jashtëm të Kazakistanit.

Sipas Departamentit të Shtetit, gjatë takimit Sekretari Blinken konfirmoi "angazhimin amerikan për të minimizuar ndikimin e sanksioneve të vendosura Rusisë tek aleatët dhe partnerët, përfshirë Kazakistanin".

Rafaello Pantucci, studiues në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare në Singapor dhe autori i vëllimit "Sinostan: Perandoria e paplanifikuar e Kinës", thotë se megjithëse influenca e Rusisë pritet të bjerë, ajo do të vazhdojë të jetë një lojtare e rëndësishme në rajon.

Udhëheqësit e vendeve të Azisë Qendore "kanë patur gjithnjë një nivel shqetësimi dhe skepticizmi për Rusinë dhe tashmë kjo do të përkeqësohet", i tha ai Zërit të Amerikës. "Lidhjet e natyrshme dhe opionin publik do ta bëjnë të vështirë ndërprerjen e plotë (të marrëdhënies), por është e qartë se qeveritë rajonale nuk janë të ekzaltuara me veprimet e Presidentit Putin" në Ukrainë.

Në fillimet e luftës, Presidenti Putin telefonoi udhëheqësit e vendeve të Azisë Qendrore për të kërkuar mbështetje për pushtimin që kishte planifikuar për Ukrainën. Por, të pesë udhëheqësit u përgjigjën të përmbajtur, duke mos e mbështetur apo dënuar sulmin.

Kina ndërkohë ka zgjeruar praninë e saj në rajon prej kohësh, thotë zoti Pantucci. "Por rajoni do të jetë gjithnjë e më i zhgënjyer, pasi në dallim nga Rusia, Kina nuk është shumë e interesuar për të ndërhyrë për të zgjidhur gjërat, por është e fokusuar vetëm tek interesat e saj".

Temur Umarov, bashkëpunëtor shkencor në Fondin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, gjithashtu parashikon se Rusia do të vazhdojë të ketë ndikim në rajon, megjithë problemet e krijuara nga lufta.

"Rusia e kupton se çfarë po ndodh këtu në Azinë Qendrore dhe e bën këtë më mirë se çdo aktor tjetër i huaj në rajon", i tha zoti Umarov Zërit të Amerikës nga Bishkeku, kryeqyteti i Kirkistanit. "Pra, kjo është diçka vërtet e vështirë për t'u ndryshuar".

Sipas zotit Umarov, pesë vendet e Azisë Qendrore janë përpjekur të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre me pjesët e tjera të botës, që kur fituan pavarësinë nga Moska në fillimet e viteve 1990.

"Veprimet e Rusisë në Ukrainë do të përshpejtojnë procesin e zëvendësimit të Rusisë në këto vende", tha zoti Umarov. "Sigurisht, Kina është vendi numër një që ka kapacitetin për ta bërë këtë në shumë sfera, në veçanti për sa i përket logjistikës, për shkak të pozicionit të saj gjeografik dhe ekonomisë së saj, për shkak të forcës ekonomike të Kinës që vendet e tjera nuk e kanë".

Por, sipas zonjës Murtazashvili, Kina nuk gëzon shumë popullaritet në Azinë Qendrore. "Njerëzit e kuptojnë se çfarë ka ndodhur me ujgurët dhe i druhen afrimit të tepruar me Kinën", thotë ajo.

Tre nga këto pesë vende të Azisë Qendrore kanë kufij të përbashkët me rajonin në perëndim të Kinës, Xinjiang, ku Pekini akuzohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera se po kryen një gjenocid ndaj pakicës ujgure. Pekini i refuzon këto akuza si gënjeshtra dhe thotë se Kina po lufton "tre forca të së keqes", më konkretisht separatizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin në rajon.

Për nga pikëpamja kulturore, fetare dhe etnike, këto vende me shumicë popullsie turke në Azinë Qendrore ndjehen më pranë ujgurëve në Xinjiang./VOA

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK