Saranda çel sezonin “Verë 2012”
Gati për mbi gjysmë milionë turistë

Saranda çel sezonin “Verë 2012” <br />Gati për mbi gjysmë milionë turistë
SARANDË - E gjithë Saranda dje ka qenë në ditën më të veçantë të saj. Me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve, të bizneseve dhe institucioneve, nga bashkia e qytetit është organizuar Festa e Detit, duke shënuar kështu çeljen zyrtare të sezonit të ri “Verë 2012”. Ndezja simbolike e dritave të farit dekorativ të qytetit, hedhja e notarëve në det nga trampoline dhe prerja e supertortës prej 2 metërkatrorë nga qytetari i parë Cipa, dhuratë për sezonin nga Bar “Limani”, kanë qenë tre sinjalet e zyrtarizimit të një sezoni të mbarë.

“Sot ne presim edhe zyrtarisht shiritin e sezonit verë 2012, pasi realisht stinën e turizmit tonë e kanë promovuar mbi 5 mijë turistë të huaj, që kanë bërë pjesë të gudiave të tyre turistike qytetin tone” tha në fjalën e vet përshëndetëse me këtë rast kryetari i Bashkisë Stefan Çipa. Po kështu, ai shtoi se nuk kanë pritur këtë zyrtarizim edhe ata mijëra nxënës e studentë nga i gjithë vendi dhe nga të gjitha trojet shqiptare, që fundjavat e dy muajve të fundit, kanë zgjedhur t’i kalojnë në brigjet dhe bukuritë e Sarandës. Ky qytet është ftues dhe tërheqës në çdo stinë, - u shpreh Çipa, -por ca më tepër në pranverë e në verë, e sidomos për të rinjtë e të rejat, të cilët bukurive natyrore që gjejnë në Sarandë u shtojnë edhe bukurinë e moshës”.

Këtë verë Saranda, është përgatitur të lerë shumë mbrapa flukset e turistëve të një viti më parë, kur numri i tyre shkoi në gjysmë milionë vetë.

Qytetarë të shumtë kanë parë se Saranda dje është zgjuar me veshje festive, duke nisur nga shetitorja, tek plazhet e ezgjeruar e të pasuruar me rërë, tek rrugët e pastra dhe në gjithë qytetin e bërë gati për të pritur miqtë e kësaj vere.

Dita e çeljes së sezonit ka vijuar me spektakle artistikë e sportivë, si dhe me panair suveniresh e prodhime të traditës së artizanatit. Përgjatë shëtitores promovuan prodhimet e tyre biznese vendase dhe Birra Tirana. Disa nga bizneset me impakte të drejtpërdrejta mbi turizmin e Sarandës, si dhe një varg shkollash e institucionesh të tjera që funksionojnë në këtë qytet dhe të ftuar të tjera si Universiteti Mesdhetar i Tiranës, filiali i fakultetit ekonomik të Tiranës në Sarandë, etj., u prezantuan me pavionet dhe ekspozenë e tyre në panairin e gjerë e të hapur përgjatë shëtitores së Sarandës.

Në mënyrën dhe me realizimet e veta të spikatura është paraqitur shtëpia e fëmijës në Sarandë, shkolla e mesme e Hoteleri-turizmit “Antoni Athanas”, qendra polivalente ditore, qendra sociale "Motrat Marcelina", Fondacioni "Lidia", si dhe njësi vendore fqinje: bashkia e Delvinës, bashkia e Konispolit, komuna e Ksamilit etj. Në festime kanë marrë pjesë edhe shefi i zyrës së OSBE në Gjirokasyër, Milan Bito, konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Nikollaos Kotrokoi, konsulli i nderit i konsullatës italiane në Gjirokastër, Teodor Bilushi, nënprefekti Gjergji Mano, kryetari i bashkisë së Himarës Jorgo Goro, kryetari i bashkisë së Delvinës, Dhurim Alinani etj.

Autoritete vendore dhe të ftuarit, të prirë nga kryetari i bashkisë Cipa, kanë vizituar pavionet e promocionit të prodhimeve, ato të traditës dhe të suvenireve.

Në skenën e ngritur mbi rërën e Plazhit “Rinia” performuan për orë të tëra në një koncert rinor këngëtaret Maja, Silva Gunbardhi, Petrit Lulo dhe Jeta Faqolli.

Pritet që kjo verë të jetë konfirmim i rritjes së fuqishme të flukseve të turistëve në Sarandë. Sipas Cipës, pritet një rritje me 10-15% më shumë turistë këtë verë. Sllogani i kësaj vere për “kryeqytetin veror” të vendit është “Saranda: shtëpia e pushimeve tuaja”.

(pn/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit

Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit