/ATSH/- Mbrëmjen e 8 majit shëtitja e vendasve dhe e miqve të shumtë, kaloi përmes portës së Panairit të Midhjes, një nga eventet lokale më të rëndësishme për Sarandën, vendin e origjinës së prodhimit të midhjes.
Rreth 40 biznese, kryesisht kultivues dhe gatues të midhjes, ofruan receta dhe gatime nga më të ndryshmet përgjatë shëtitores.
Për të dytin vit radhazi, bashkëshoqëruese e Panairit të Midhjes u bë Shoqata e Vajit të Ullirit, e mbështetur nga USAID. Shiriti i këtij panairi u pre nga Kryebashkiaku Stefan Çipa dhe drejtori i USAID, Marcus Johnson, në prani të mijëra qytetarëve.
Të pranishëm në ceremoni ishin Henry V. Jardine, zëvendësambasadori amerikan në Shqipëri, ambasadorja e Çekisë, Bronislava Tomasova, ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, zëvendësambasadori francez, Didier Gilbert, konsulli i nderit i Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Tashmë ka tre vjet e ky është i katërti, që Festa e Midhjes organizohet me slloganin: "Midhja, mbretëresha e Liqenit, mbretëreshë e Sarandës". Thelbi i kësaj feste është që produkti i Midhjes të promovohet në qindra recetat e gatimit, të shijohet dhe të konsumohet në komunitet.
Njëherësh kjo ka shërbyer që të promovojnë aktivitetin e tyre edhe biznesi vendas e ai i ftuar, nga brenda e jashtë vendit, si Korfuzi etj.
Gjatë vizitës së pavioneve të Panairit Kryebashkiaku Stefan Çipa tha për mediat se "Panairi në 4 vjet punë në drejtimin e Bashkisë së Sarandës, është një nga gjërat që më bën të ndjehem mirë sot, por edhe në të ardhmen, një gjetje dhe vlerë që do të ketë vazhdimësi".
Kryetari Çipa tha se projekton që, në bashkëpunim me Bashkinë e Opatisë, në Kroaci, Saranda ta çojë edhe atje festën e vet më karakteristike e më të veçantë.
Sipas Çipës, me edicionin e sivjetëm të Festës së Midhjes, shpresohet të jepet impakt jo vetëm në promovimin dhe shijimin e midhjes, por edhe në hapjen e tregut europian për midhjen shqiptare, pasi eksporti qëndron i bllokuar që prej vitit 1994.
Midhja shqiptare tërheq vëmendjen dhe interesimin e tregut të vendeve europiane, tha Çipa. Drejtori i USAID-it, Johnson tha se për të dytin vit bashkëshoqërimi i Festivalit të Midhjes nga Shoqata e prodhuesve të vajit të ullirit i jep një tjetër dimension kësaj feste karakteristike.
Ndër operatoret më të mirë në Festën e Midhjes, ishte kompania dhe instituti i Kulinarisë shqiptare "Neranxi", që improvizoi deri në 60 receta gatimi me midhjen, me një kuzhinë fushore, të instaluar në shëtitoren e Sarandës.
Edicioni i katërt i kësaj feste, që nisi me 8 maj e do të vazhdojë gjatë gjithë fundjavës, u organizua nga Bashkia në një cilësi të re dhe në një performancë shumë më të mirë.
Përvec "Neranxit" të pranishëm janë profesionistët e rinj të turizmit, që përgatit shkolla e mesme profesionale "Antoni Athanas" e qytetit të Sarandës, si dhe konvikti i shkollës së mesme professionale dhe studentëve të filialit universitar, gatimet e përgatitura nga Qendra Polivalente, nga Shtëpia e Fëmijës etj. Një demonstrim interesant ishte ai i Master Chefit të Kulinarisë "Neranxi", që u ndoq me shumë kërshëri nga të pranishmit si performanca në shkallën më të lartë.
Si pjesë e Festivalit të Midhjes, për herë të parë, organizuar nga USAID, u zhvillua një mikrokonkurs me shkollarë, që në fakt ishte një garë se kush konsumonte më shpejt një sasi të caktuar midhjesh në njësinë e kohës.
Për më të mirët pati vlerësime dhe stimuj. Në skenën e koncertit që u dha nga Qendra Kulturore e Bashkisë së Sarandës përshëndetën Kryebashkiaku Stefan Çipa dhe zëvendësambasadori amerikan Jardine, që vlerësuan gjithë organizimin e eventit, mbështetjen nga qytetarët dhe biznesi.
Në skenë u dhanë disa çmime për pjesëmarrjen dhe performancën më të mirë të prodhuesve të vajit të ullirit.
Kryetari Stefan Cipa, i shoqëruar nga këngëtarja sarandiote Vanesa Sono, fituese e konkursit kombëtar "Gjeniu i vogel", ndezi pishtarin simbolik të eventeve te vitit.
Festa e Midhjes vetëm sa ka nisur mbrëmë, e shoqëruar nga degustime prodhimesh e gatimesh të shumëllojshme, si dhe nga birra e vera që u ofruan në më pak se gjysmë çmimi për gotë.








