Ekipi i notit në Sarandë, po përballet me vështirësi të shumta.
 
Edhe pse është nga ekipet e para të formuara në rang vendi, dita ditës të rinjtë që merren me këtë sport po e lënë vendin duke gjetur strehë në vendet fqinjë.
 
Trajneri i notit, Stefan Shendi thot se janë bërë kërkesa të vazhdueshme në Bashkinë e Sarandës, por deri tani nuk është marrë asnjë masë dhe nuk ka asnjë përgjigje.
 
“Me gjithë rezultatet dhe kërkesat në Bashki, qoftë në drejtimin e zonjës Florjana dhe drejtuesit e mëparshëm, kemi rënë në vesh të shurdhër. Na kanë abandonuar, na kanë lënë në harresë.
Sportistët kanë zënë kategoritë e para në garat individuale dhe nuk janë trajnuar asnjëherë, as ekonomikisht as me benefite ushqimore”, shprehet trajneri Shendi.
 
Sipas trajnerit të notit edhe pse ekipi i Sarandës ka marrë medalje asnjëherë nuk ka përfituar asnjë benefit, mbi të gjitha notarët e rinjë bëjnë stervitje vetëm gjatë përiudhës së verës pasi mungon një pishinë në të cilën mund të kryhen stervitje edhe gjatë stinës së dimrit.
 
“I bëj thirrje bashkisë që të marrë në konsideratë këtë kërkesë dhe të kthejë sytë në këtë sport që nuk është lënë në harresë nga banorët e sarandës dhe këta fëmijë që mbajnë traditën gjallë dhe shpresojmë që të kemi një pishinë që mbetet ëndërr, një ëndërr 50-vjeçare. Të respektohen këta sportistë që sakrifikojnë, qoftë beharin, qoftë kushtet e këqija ku stërviten shpesh në ujin e ftohtë ose të papastër”, përfundon Stefan Shendi.
 
Deri tani për sportin e notit në Sarandë nuk është investuar asgjë duke e lënë që sportistët e kësaj fushe ose të shkojnë në vende të tjera ose të heqin dorë përfundimisht.
 
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com