SARANDË - Nënë e bir janë goditur me dru nga një grup të rinjsh mbrëmjen e djeshme në një lokal në  fshatin Livadhja të Sarandës.
 
Policia bën të ditur se Armando Balani, nga Konispoli së bashku me 2 shokë të tjerë janë arrestuar si autorë të krimit.

Sotir Xhaferri, pronar i lokalit, të cilit i janë plagosur, bashkëshortja dhe djali i tij, tregon për Shqiptarja.com dhe A1 Report ngjarjen.
 
E gjitha ka nisur një natë më parë, pikërisht më 24 dhjetor, kur në një lokal ngjitur me të tijin, grupi i të rinjve nga Konispoli janë zënë me një grup tjetër të rinjsh nga lagjja Qafë Qashtë e Sarandës. Më pas sherri është zhvendosur në lokalin në pronësi të Xhaferrit, i cili është përpjekur t’i ndalojë pasi po i shkatërronin lokalin.
 
Të rinjtë janë larguar duke u kthyer një natë më pas, këtë herë duke u hakmarrë ndaj familjes Xhaferri.

Armando Balani së bashku me shokët e tij ka hyrë në lokalin e Xhaferrit dhe kanë goditur me drunj djalin dhe gruan e pronarit.
 
Sipas policisë të plagosur kanë mbetur Marjeta dhe Pandeli Xhaferri, përkatësisht 44 dhe 24 vjeç nga shtetasi Armand Balani. Të plagosurit pasi kanë marrë mjekimin janë larguar nga spitali. Policia nis hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Redaksia online
(lr/ac/shqiptarja.com)