Banorët e lagjes “28 Nëntori” japin dëshmi të ndryshme për cilësinë e ujit. Disa prej tyre thonë se prej ditësh uji ka erë dhe është i papastër, ndërsa tregojnë se në familjet e tyre janë shfaqur edhe probleme shëndetësore.
“Kur ka pasur gjithë Vlora, edhe ne kemi pasur. Tek ky pallat jo, nuk kemi pasur probleme. Ujin nuk e blej, kam dhe filtër, por kemi dëgjuar që ka pasur raste helmimi në rrugë tjetër.”- ka shprehur banorja.
Një tjetër banore e lagjes në Varrosh, thotë se problematika me ujin vijon prej rreth një jave. Ajo tregon se fëmijët dhe të rriturit në familjen e saj kanë shfaqur të vjella dhe probleme me stomakun, ndërsa për të pirë janë detyruar të blejnë ujë të ambalazhuar.
“Varrosh i thonë, i thuhet lagjja 28 Nëntori. Uji është shumë i pistë. Ka një javë që fëmijët i ka zënë barku, janë me të vjella, ka dhe të rritur. Ne blejmë ujin për të pirë, do laj enët dhe rrobat me atë ujë se nuk na del llogaria. Madje njëri e kishte fotografuar në një pjatë dhe kishte shkruar: Kujdes nga uji, mos e pi se është shumë i ndotur. E ndjeva dhe te kafja që piva, i vinte erë. Kemi pasur probleme shëndetësore edhe ne si familje.”- tha ajo.
Edhe një tjetër banore ngre shqetësimin për erën e rëndë që, sipas saj, vinte nga uji prej rreth 10 ditësh. Ajo thotë se tashmë edhe për larjen e dhëmbëve përdor ujë të blerë, ndërsa deri tani nuk ka pasur shqetësime shëndetësore.
“Vinte erë pusete ujit, prej 10 ditësh. Edhe dhëmbët i laj me ujë të blerë. Deri tani nuk kemi pasur shqetësime.”- theksoi banorja.
Ndërkohë, ka edhe banorë që thonë se nuk kanë konstatuar ndryshime në cilësinë e ujit dhe nuk kanë pasur probleme shëndetësore, por për të pirë preferojnë ujin e ambalazhuar.
“Unë nuk ndjeva gjë te uji. Për të pirë e blejmë. Probleme nuk kemi pasur, as raste helmimi.”- u shpreh banori tjetër.
Pavarësisht rezultateve fiziko-kimike të publikuara nga Ujësjellësi, priten analizat e detajuara të Institutit të Shëndetit Publik për të përcaktuar nëse ka ndotje mikrobiologjike dhe nëse ekziston një lidhje mes cilësisë së ujit dhe rasteve të shumta të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Lajmi kryesor:
Vlorë /68 qytetarë të helmuar përfundojnë në urgjencë, dyshime për ujin! Banorët: Mund të jetë përzier me fekale! Kaso: S’ka ndotje kimike, presim analizat mikrobiologjike










