SARANDË - Një punonjës policie është pezulluar nga detyra në Sarandë dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale.

Videoja e përfshirë shfaqte inspektorin Arben Islamaj, të angazhuar si trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Sarandë, duke mbajtur armën e shërbimit gjatë një mosmarrëveshjeje me disa qytetarë në Ksamil.

'Në lidhje me një video të publikuar sot në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie, i angazhuar si trupë shërbimi roje në një pikë bllokimi automjetesh në Ksamil, duke mbajtur në dorë armën e shërbimit gjatë një mosmarrëveshjeje verbale me disa qytetarë, ju sqarojmë se:

Me publikimin e rastit, punonjësi i Policisë, inspektor A. I., me detyrë trupë shërbimi në Seksionin e Rendit në Komisariatin e Policisë Sarandë është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.', njofton policia.