Sarandë - Një sherr mes të miturve në shkollën private 9-vjeçare 'Dea 2001' në lagjen nr.3, Sarandë ka agravuar deri në përdorimin e mjeteve prerëse, mëngjesin e kësaj të mërkure.
Burime bëjnë me dije se incidenti fatmirësisht pa pasoja fatale është regjistruar në oborrin e shkollës ende pa nisur procesi mësimor. 13-vjeçari, është grindur fillimisht me fjalë me 15-vjeçarin, - me pretendimin se përse i kishte zënë rrugën
Pas grindjes me fjalë 13 vjeçari ka nxjerrë një thikë që e kishte me vete dhe ka goditur në qafë 15 vjeçarin. Pas kësaj ai është larguar menjëherë nga shkolla, teksa i mituri tjetër është transportuar në spital.
Sipas bluzave të bardha pas qepjes së plagës së marrë,ai është larguar nga ambientet e spitalit.
Policia vijon me hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave teksa njëherazi po punon për kapjen e 13 vjeçarit.
“Sot, rreth orës 10:00, në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr.3, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se një nxënës 13 vjeçar, ka goditur me mjet prerës një të mitur, 15 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi sot policia.
Ky është konflikti i tretë i regjistruar mes adoleshentëve në vetëm pak kohë. Më 25 nëntor, në ish-kënetë të Durrësit u përfshinë në konflikt disa minorenë dhe pas 9 ditësh ndërroi jetë në spital, 15-vjecari Erion Boba. Policia tha se të rinjtë u konfliktuan pas debateve që kishin në TikTok. Kjo platformë është ndaluar nga qeveria pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën Fan Noli para një viti, por adoleshentët vazhdojnë ta përdorin në mënyrë ilegale.
Ndërkohë më 12 dhjetor, dy grupe të rinjsh, shumica nxënës të shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër u përfshinë në një konflikt të dhunshëm ku shkak u bë një sherr i nisur më herët nga të rinjtë. Fatmirësisht si pasojë e këtij sherri nuk pati pasoja fatale për jetën.
Komente











