Në qytetin e Sarandës është vendosur busti i kandidates për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton. Busti ka zënë vend Bulevardin kryesor të qytetit, në të cilin shëtisin mijëra njerëz çdo verë dhe jo vetëm.

Përurimi u bë me një ceremoni të posaçme, organizuar nga Bashkia e Sarandës në mesditën e 30 qershorit, në prani edhe të qindra qytetarëve, shoqëruar me vëmendjen e medias kombëtare, ndërkombëtare e vendore.

Pas ekzekutimit të himnit shqiptar e atij amerikan, Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, dhe drejtuesi i Misionit Diplomatik Dr. Shefki Hysa, bënë zbulimin e bustit, vepër e skulptorit Idriz Balani, si dhe deputeti i PDIU-së, Tahiri Muhedini. “Ndihem vërtet e lumtur që i gjithë rrugëtimi ynë, nga ideja fillestare, deri ky moment i zbulimit të bustit, arriti në orën dhe minutën që zonjën e madhe Hilary Clinton ta kemi në mesin tonë, si një vepër arti, dhe ta bëjmë pjesë të përditshmërisë sonë”, u shpreh në përshëndetjen e vet kryebashkiakja Koka.

Ajo falënderoi intelektualët në zë dhe miqtë e Sarandës, drejtuesit e Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet (DMPP), duke nisur nga guvernatori Dr. Shefki Hysa, deri te Këshilli bashkiak i Sarandës e te secili këshilltar veças, që i dhanë trajtë vendimmarrjeje në mënyrë të njëzëshme këtij projekti. 

Shtatorja është vepër e skulptori Idriz Balani i cili tha se ka përdorur tre foto për të krijuar këtë punim.

Ndërkohë, vendosja e bustit të Hillary Clinton në Sarandë është pritur me ironi nga mediat ndërkombëtare. “Zgjedhjet në SHBA janë akoma disa muaj larg, por një qytet në Shqipëri ka vendosur të ngrejë një monument për Hillary Clinton”, shkruan "Russia Today".