Kryetari i sapo zgjedhur i Parlamentit Evropian, David Sassoli do vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut . Kjo vizitë do të jetë vizita e tij e parë zyrtare.  Vizita vjen vetëm pak kohë pas refuzimit të hapjes së negociatave të anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Në Maqedoninë e Veriut vizita e Sassoslit do të bëhet të hënë dhe të martën e javës së ardhshme ndërsa Tiranën zyrtare, David Sassoli do ta vizitojë më 2-3 dhjetor.

Sassoli vjen me mesazh të qartë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ku thekson se të dy vendet nuk duhet të ndalen në përpjekjet e tyre në rrugën evropiane edhe pse nuk u hapën negociatat në Samitin e fundit të liderëve të Bashkimit Evropian.

Më pas Sassoli në fjalën e tij para vizitës në Maqedoninë  e Veriut është shprehur se Shqipëria dhe fqinji i saj e meritonin plotësisht hapjen e negociatave por pavarësisht Franca vendosi veton.

Përpara vizitës në Shkup, Presidenti Sassoli deklaroi:

“Vizita në Maqedoninë e Veriut, dhe shumë shpejt në Shqipëri, ka një rëndësi më të lartë për mua personalisht në këtë moment. Ne e dimë që popullsia në të dy vendet është zhgënjyer shumë nga dështimi i Këshillit për të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit për shkak të vetos së disa shteteve anëtare. Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme. Për më tepër, dua t'u bëj thirrje qytetarëve dhe veçanërisht brezit të ri:  Mos hiqni shpresën, ju lutemi qëndroni në rrugën evropiane. Parlamenti Evropian qëndron me ju.

Me një shumicë të madhe votash, Parlamenti Evropian ka ritheksuar mbështetjen e tij të plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë një javë më parë. Ne nuk do të heshtim por i nxisim shtetet e BE të marrin një vendim unanimisht në favor të bisedimeve të pranimit në takimin e ardhshëm.

Ndërkohë, ne i inkurajojmë të dy vendet të vazhdojnë në rrugët e tyre të reformës. Jemi të bindur që, përkundër shtyrjes, kjo kohë nuk harxhohet. Reformat e kryera në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE janë në interesin më të mirë të vendeve dhe qytetarëve të tyre, dhe do të përfitojnë para së gjithash dhe brezin e ri që meriton një të ardhme më të mirë ” është shprehur Sassoli.

Gjatë vizitës së tij në Shkup, Presidenti Sassoli do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev si dhe Presidentin Stevo Pendarovski. Ai gjithashtu do të zhvillojë bisedime me drejtuesit e partive politike parlamentare, Kryetarin e Asamblesë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do t’i drejtohet Parlamentit. Në fillim të vizitës së tij, ai do të hap Shtëpinë e Evropës në Delegacionin e BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe do t'i bashkohet një diskutimi me studentët.