“Unë po pres autobusin e Saukut të Vjetër dhe kam mbërritur në orën 10 pa pak dhe është ora 10:24 dhe mua më duhet të pres deri në orën 11 për të shkuar në Saukun e Vjetër”.

Aurela Kumanaku na tregon se si është dita e një banori nga Sauku i vjetër që është përdorues i transportit urban, ditë e cila nis dhe përfundon me të njëjtat strese , duke pritur urbanin. Nëse qoftë dhe për 1 sekondë të ikë autobusi i Saukut do të duhet të presësh 60 minuta.

‘‘Për 5000 banorë të Saukut në shërbim tè banorëve është vetëm 1 autobus. “

 Aurela Kumanaku ndan me ne këtë problematikë që e ka çuar së bashku me miqtë e saj të ndërmarrin nismën Vrapo sikur të kapësh autobusin e fundit të Saukut.

‘Autobusi vjen një herë në një orë dhe për çështje 1 minutë ti duhet të vraposh. Nuk është normale që të ketë vetëm një autobus. Para pandemisë kjo linjë ka funksionuar me 2 autobusë gjë që do të ishte normale”, tha ajo.

Xhevi Xhebrahimi është në gjimnazin “Ismail Qemali”. Ai tregon se ka humbur edhe ditën mësimit në shkollë vetëm prej vonesave të urbanit.

“Para dy ditësh u vonova në shkollë dhe mora 6 mungesa. Mua më fillon mësimi në 13:30 dhe do më duhet të nisem që në orën 11 e pak. Ndërkohë që autobusi është i tejmbushur”, thotë ai.

Të rinjtë kanë hartuar dhe një peticion online të cilin do ta dorëzojnë më 30 Shtator në bashki për të shtuar të paktën dhe një tjetër urban për linjën e Saukut të vjetër ashtu siç ishte para pandemisë.