/ATSH-AFP/ - Ministri gjerman i Fiancave, Wolfgang Schauble u shpreh shumë skeptik mbi mundësitë e zonës euro për të arritur që prej ditës së sotme një marrëveshje me Greqinë për një program të ri financimi dhe i kërkoi qeverisë greke të reagojë në mënyrë të përgjegjshme.
"Në kuadër të asaj që kam dëgjuar në diskutimet teknike në fundjavë, jam shumë skeptik mbi mundësitë e ministrave të Financave të zonës euro, që do të mblidhen sot në Bruksel, për të arritur një marrëveshje për Greqinë", theksoi Schauble në një intervistë për radion publike "Deutschlandfunk".
Greqia do të tentojë sot të arrijë një marrëveshje për një program të ri financimi që do t'i mundësonte kthimin e faqes të masave shtrënguese, por diskutimet me 18 anëtarët e tjerë të zonës euro, që e mbështesin financiarisht që prej vitit 2010, duken shumë të vështira.
"Mendoj se është një pjesë e madhe e pokerit nga ana e qeverisë greke të Aleksis Cipras", deklaroi Schauble duke i kërkuar Athinës të reagojë në mënyrë të përgjegjshme.
Pyetjes mbi mundësinë për një dalje të Greqisë nga zona euro, Schauble u përgjigj: "Ju duhet t'ia kërkoni këtë kolegëve të mi grekë. Kjo nuk është ajo që ne duam, por për të qendruar anëtar i bashkimit monetar, Greqia duhet të bëjë minimumin".