/ATSH-AFP/ - Presidenti i Parlamentit evropian, gjermani, Martin Schulz i kërkoi kryeministrit grek, Alexis Tsipras të heqë dorë nga kritikat kundër kancelares gjermane, Angela Merkel dhe qeverisë së saj.

Schulz deklaroi për gazetën gjermane "Die Welt", se ia kishte transmetuar këtë këshillë edhe gjatë bisedimeve që kishte zhvilluar javën e kaluar me Alexis Tsipras, i cili kërkon rinegocim të borxhit masiv të Greqisë.

"I kam kërkuar me ngulm të çarmatoset në planin verbal. Kjo nuk i sjell asgjë", deklaroi Martin Schulz.

"Tsipras do të bënte mirë të hiqte dorë nga sulmet kundër, Angela Merkelit", deklaroi ai duke shtuar se do të ishte qeveria gjermane, mes të tjerave, që do ta ndihmonte.
Gjermania përsëriti, pas zgjedhjeve që sollën në pushtet drejtuesin e Sirizas, partia e majtë radikale kundër masave shtrënguese, se priste nga Greqia që ajo të respektonte angazhimet e saj përsa i përket reformave ekonomike dhe fiskale.

Gjermania ka mbajtur peshën më të rëndë të borxhit grek dhe kancelarja gjermane përjashtoi dje, në një intervistë për shtypin, një fshirje tjetër të borxhit grek.
"Ka pasur një tërheqje të vullnetshme të kreditorëve privatë, bankat kanë hequr dorë gjithashtu nga dhënia e kredive për Greqinë", theksoi kancelarja gjermane në një intervistë për "Hamburger Abendblatt".

"Qëllimi i politikave dhe qëndrimeve tona është që Greqia të vazhdojë të jetë pjesë e Eurozonës. Evropa do të vazhdojë të tregojë mbështetjen e saj për Greqinë dhe për vendet e tjera të prekura nga kriza, nëse këto vende ndërmarrin reforma që ulin shpenzimet dhe nuk parashikoj asnjë fshirje tjetër të borxhit", shtoi Merkel.