TIRANE- Një nga projektvendimet që pritet të miratohet sot në seancën plenare është dhe ai për mënyrën e trajtimit të deputetëve, i cili është diskutuar që në Konferencën e Kryeyarëve për këtë nismë të Kuvendit.  Në projektvendimin e zbardhur për mënyrën e trajtimit të deputetëve janë zbardhur shpërblimet, dietat si dhe përfimitet që kanë deputetët apo dhe krerët e komisioneve parlamentare dhe nënkryetarët. Sipas “Paga e deputetit përcaktohet sipas ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për statusin e deputetit”, i ndryshuar, neni 13, dhe ligjit nr. 9584 datë17.07.2006 “Përpagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”,i ndryshuar.

Për çdo mungesë pa shkaqe të përligjura në seancat plenare të Kuvendit, deputetit i ndalohet paga ditore. Mungesë pa shkaqe të përligjura për efekt page quhet çdo mungesë, përjashtuar rastet kur me miratimin e Kryetarit të Kuvendit,deputeti merr pjesë në veprimtari parlamentare brenda ose jashtë vendit. Kryetari i Kuvendit përcakton me udhëzim mënyrën e evidentimit të pjesëmarrjes së deputetëve në seancë plenare”, thuhet në projektvendim.

Shpërblimet
Projektvendimi ka të përcaktuar edhe shpërblimet e deputetëve në veprimtarinë e tyre parlamentare. “Përveç pagës bazë, deputeti shpërblehet për pjesëmarrje në mbledhje të komisionit të përhershëm ku bën pjesë. Në këtë rast, masa e shpërblimit është 2.000 lekë për çdo mbledhje. Masa e shpërblimit për kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit është 2,500 lekë dhe për kryetarët e nënkomisioneve 2.200 lekë për mbledhje. Kryetari i grupit parlamentar merr 5-15 për qind mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit. Pjesëmarrja në Komisionet e përhershme paguhet deri në 12 mbledhje në muaj, ndërsa në komisionet e posaçme paguhet sipas vendimit të Kuvendit për krijimin e tyre. Pagesa bëhet sipas listëprezencës së pjesëmarrjes së deputetëve në komisione, të firmosur nga kryetari i komisionit dhe sekretari teknik dhe verifikohet nga procesverbali i mbledhjes përkatëse të komisionit. Ngarkohet shërbimi i komisioneve dhe sektori i trajtimit të deputetëve të bëjnë verifikimet për çdo rast.

Pagesat dhe dietat
Sipas projektvendimit që pritet të miratihet sot në seancë plenare, janë të përcaktuara edhe dietat që përfitojnë deputetët që nuk jetojnë në Tiranë. “Deputetët që banojnë në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj, ndërsa deputetët që banojnë jashtë rrethit të Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 12 ditë në muaj. Deputetët i përfitojnë dietat pas dorëzimit të dokumentacionit vërtetues të firmosur nga ana e tyre. Forma e dokumentacionit vërtetues përcaktohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

 Kuvendi mbulon shpenzimet telefonike për deputetët përgjatë gjithë vitit, për vlerën mujore prej 17.000 lekë. Për kryetarët e komisioneve të përhershme dhe kryetarët e dy grupeve parlamentare më të mëdha vlera mujore është 20.000 lekë. Kuvendi mbulon shpenzimet për strehimin e deputetëve. Kuvendi mbulon shpenzimin për pagesën e tarifës së pajisjes me pasaportë diplomatike vetëm për deputetët, gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit. Pagesat e llogaritura sipas pikave 7, 8 dhe 9 kalojnë me transfertë në llogarinë personale bankare të deputetit, pas datës 20 të çdo muaji”, thuhet në projektvendim.
 
 Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)