Pas 14 orëve seancë maratonë, me 80 votat e socialistëve u miratua në parim në Kuvend buxheti për vitin 2027. Për socialistët, është rritje e investimeve publike dhe mbështetjes sociale, ndërsa nga deputetët e opozitës mori 25 vota kundër dhe u cilësua “kriminal”. Opozita votoi kundër edhe për ligjet e paketës fiskale 2027, konkretisht për tatimin mbi të ardhurat i ndryshuar, me 80 vota pro dhe 25 kundër, për TVSH me 80 vota pro dhe 24 kundër, për procedurat tatimore 80 vota pro dhe 24 kundër, akcizat 80 vota pro dhe 25 kundër, si dhe ligji për strehimin social 79 vota pro, 1 abstenim (Greta Bardeli) dhe 25 kundër.
Për buxhetin, kritikat u vërtitën kryesisht te shpërndarja e parave, mungesa e konsultimit me bizneset dhe më shumë kosto për xhepat e qytetarëve.
“Biznesi nuk u pyet, askush nuk i vuri në dijeni. Lista e ushqimeve me TVSH 6% nuk na është vënë në dispozicion. Edhe masa tjetër, ulja e pragut të TVSH në 5 mln lekë që fut afro 8 mijë biznese në një grackë të re të ngarkesës fiskale vendoset po me VKM”, tha Eno Bozdo.
“Po çfarë vlere ka 10 mld i buxhetit kur ekzekutohet vetëm 36%? Kaq e ka takatin. Sa herë ka zgjedhje firmosin tenderë, japin koncensione”, tha Tabaku.
Pavarësisht komenteve, deputetët socialistë bënë thirrje për votimin e buxhetit, të cilin e përshkruan si “vizion të Shqipërisë europiane”.
“Një buxhet historik me mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, të parashikuara përgjatë vitit të ardhshëm. Kemi më shumë mbështetje për bujqësinë, për arsimin, për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ky projektbuxhet qëndron mbi 3 shtylla të forta. E para ka të bëjë me mirëqenien sociale, e dyta me stabilitetin fiskal dhe financa publike të qëndrueshme, e treta me investimet, reformat dhe proceset integruese në BE”, tha Malaj.
Këshilla më ‘praktike’ nga socialistët për opozitën erdhi nga Taulant Balla.
“Votojeni buxhetin 2027 se ju bën mirë për shëndetin”, tha kreu i grupit të PS.
Zë kritik ishte ai i Erion Braçes që foli për mosrealizimin e shpenzimeve të planifikuara dhe tha se cilido ministër që rrezikon buxhetin, duhet të largohet.
“Ministrat që nuk realizojnë shpenzimet duhet të ikin nga qeveria, thashë vjet. Askush nuk ua ka borxh padijen për ta përdorur me efektivitet paranë publike. Abuzimin me të, jo e jo. I mbetem së njëjtës kërkesë. Kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell rrezik serioz për të, nuk ka pse të rrijë më në qeveri”, tha Braçe.
Buxheti do të rikthehet edhe një herë në komisione për t’u shqyrtuar nen për nen, dhe për të bërë edhe ndryshimet në buxhet nëse kërkesat e opozitës apo institucioneve do të pranohen.
Seanca nuk kaloi pa një incident pasi pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike për disa çaste, të cilin opozita e shfrytëzoi për të thirrur në kor “Rama jepe dorëheqjen”.
Nga foltorja e Kuvendit, Taulant Balla sfidoi Agron Shehajn të votojë pro heqjes së imunitetit të tij kur prokuroria italiane të bëjë kërkesën. Me ironi, kreu i grupit të PS tha se nesër është Dita Botërore e WC-ve dhe do të përdorë fjalët e kreut të partisë Mundësia.
“Agron, nesër është Dita Botërore e WC-ve. E ka shpallur OKB. Fjalët e tua do t’i përdor nesër. Një gjë po ta them. Unë të sfidoj dhe të them kur të vijë kërkesa nga prokuroria italiane për imunitetin tënd, do ta votosh apo nuk do ta votosh. Nëse je aq dashmirës për atë djalin, një nga ato 15 milionë eurot, nga ato shtëpitë se ti je gjeni, je i paparë, 15 milionë euro një vilë. Je një hajdut, fundi yt dihet! Ti do ta votosh kërkesën nga prokuroria italiane për heqjen e imunitetit tënd? E voton apo nuk e voton?”, tha Balla.
Në parlament është ndërprerë energjia elektrike gjatë seancës maratonë.
Deputetët e opozitës kanë nisur menjëherë me thirrjet në kor ‘Rama jepe dorëheqjen’.
Në Kuvend shihet teksa herë pas here ka luhatje të ndriçimit. Edhe pjesa e jashtme e godinës u zhyt në errësirë për pak sekonda.
Nuk raportohet të ketë pasur ndërprerje rreth zonës.









Komente
Komento