Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë, Martin Kocher, zhvilloi sot vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, ku u prit nga Guvernatori i Banka e Shqipërisë, Gent Sejko. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet ekonomike dhe financiare, bashkëpunimi rajonal dhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.

Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe theksoi rolin e investimeve austriake në ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorin financiar. Ai e cilësoi Austrinë si një partner të rëndësishëm ekonomik dhe mbështetëse të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe përafrimi i sistemit bankar shqiptar me standardet e BE-së, zhvillimet në tregjet financiare dhe ndikimi i teknologjisë dhe inovacionit në sektorin bankar. Gjatë tryezës së organizuar me përfaqësues të sistemit bankar, Guvernatori Kocher deklaroi se besimi mbetet baza e stabilitetit financiar në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Ai paralajmëroi se bankat e nivelit tw dytw dhe bankat qendrore duhet të jenë të përgatitura për rreziqet gjeopolitike, pasiguritë në tregun e pasurive të paluajtshme, transformimin teknologjik dhe sfidat që lidhen me sigurinë kibernetike. Kocher u ndal edhe te situata gjeopolitike në Evropë, duke thënë se ndikimi aktual pritet të jetë më i kufizuar krahasuar me krizën energjetike të vitit 2022, por theksoi rëndësinë e menaxhimit të kujdesshëm të rreziqeve nga sistemi bankar.

Në fund të vizitës, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë vizitoi edhe ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, të hapur në Bankën e Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të institucionit.