Sejko: Shmangëm falimentimet në masë të bizneseve dhe rritjen e fortë të papunësisë gjatë pandemisë (VIDEO)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko  ka folur nga Kuvendi lidhur me përballimin e krizës ekonomike që zhvilloi pandemia. Sejko tha se Banka e Shqipërisë ndërhyri në mënyrë të shpejtë dhe të plotë dhe se masat për përballimin e krizës rezultuan të suksesshme

"Ndikimi i krizës në ekonomi rezultoi më i vogël së pritjet tona fillestare, duke ilustruar si rezistencën dhe fleksibilitetin e sektorit privat, ashtu dhe ndikimin pozitiv të përgjigjes së politikave publike. Po ashtu, ndikimi i goditjes mbi faktorët afatgjatë të rritjes duket i përmbajtur. Me gjithë problemet e natyrshme, ne kemi shmangur falimentimet në masë të bizneseve dhe rritjen e fortë të papunësisë. Së fundi, pavarësisht testit të fortë të cilit iu nënshtruam, ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit mbetën solidë. Në gjykimin tonë, ekonomia shqiptare i gëzon premisat për një rimëkëmbje të shpejtë në të ardhmen", tha Sejko

Gjatë raportimit për vitin 2020, Banka e Shqipërisë  ka shënuar progres në implementimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit, si dhe ka zbatuar rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë.

"Vëllimi i aktivitetit ekonomik u tkurr me 3.3%, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune dhe shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Rënia e të ardhurave solli rritjen e borxhit privat e publik. Në pasqyrim të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, në vend dhe në botë, inflacioni mesatar për vitin 2020 rezultoi 1.6%, duke vijuar të mbetet poshtë objektivit tonë. Banka e Shqipërisë mori një paketë të plotë masash, ulëm normën bazë të interesit në minimumin e saj historik prej 0.5%, lehtësuam qasjen e sektorit bankar në fonde likuide dhe rritëm injektimet e likuiditetit në tregun ndërbankar, miratuam ndryshime rregullatore të cilat inkurajuan shtyrjen me 6 muaj të kësteve të kredisë për klientët në vështirësi imediate, si dhe ristrukturimin e kredive për klientët në vështirësi më afatgjata, eliminuam kostot e përdorimit të platformave elektronike të pagesave ndërbankare që operon Banka e Shqipërisë, duke synuar përdorimin e pagesave elektronike. Në vlerësimin tonë, masat e marra kanë qenë efektive për reduktimin e ndikimit të pandemisë në sektorin tonë", tha Sejko.


Lajmi kryesor:

KUVEND/ Betohen dy deputetet e reja! Murrizi: Shqipëria si Palermo! Balla ftesë PD: Në shtator bashkëpunim për Reformën Zgjedhore! Sejko: Ekonomia rimëkëmbje të fortë për vitin 2021 (VIDEO)


I.K/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë