Agresioni rus ndaj Ukrainës ofron një pamje të "një bote të mundshme tiranie dhe trazirash", tha të shtunën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin në një fjalim gjatë një forumi sigurie në Kanada.
Komentet e zotit Austin ishin ndër më të fortat deri më sot mbi nevojën e ndihmës nga komuniteti ndërkombëtar që Kievi të fitojë pas gati nëntë muajsh lufte. Ai foli në një moment që mund të shënojë një pikë kthese në konflikt.
Pas një sërë humbjesh në fushën e betejës, Rusia ka vënë në shënjestër të sulmeve me raketa infrastrukturën energjetike të Ukrainës, gjë që mund të ekspozojë miliona civilë ndaj të ftohtit të dimrit. Moska shpreson të frenojë mbrojtjen me raketa të Ukrainës dhe të blejë kohë për të rikthyer forcat e saj, thonë zyrtarët e Pentagonit.
Sekretari Austin tha se Rusia po shkel ligjet e luftës.
"Këto nuk janë thjesht gabime. Këto nuk janë përjashtime nga rregulli. Këto janë mizori," tha ai.
"Breshëria e raketave ruse ka lënë ukrainas të pafajshëm pa ngrohje, ujë dhe energji elektrike. Ne kemi parë shkolla të sulmuara. Fëmijë të vrarë. Spitale të bombarduara. Qendrat e historisë dhe kulturës ukrainase janë kthyer në gërmadha", u shpreh zoti Austin.
Moska mohon që forcat e saj të armatosura të kenë vënë në shënjestër qëllimisht civilët ose infrastrukturën civile.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë ndihmuar me armatime, informacion zbulimi dhe stërvitje për forcat ukrainase, por nuk kanë ndërhyrë drejtpërdrejt në luftë kundër Rusisë e cila ka armë bërthamore.
Zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen pjesëmarrës në "luftën e zgjedhur" nga presidenti rus Vladimir Putin, por paralajmëroi për rreziqet e përhapjes bërthamore globale nëse Moska fiton.
"Kolegët autokratë të Putinit po ndjekin zhvillimet. Dhe ata mund të arrijnë në përfundimin se sigurimi i armëve bërthamore do t'u jepte atyre një liçencë për të vepruar," tha Austin. "Dhe kjo mund të nxisë një cikël të rrezikshëm të përhapjes bërthamore."
Vetëm ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuata Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping zhvilluan bisedime të hënën, zoti Austin tha se Pekini, ashtu si Moska, synon "një botë ku forca vendos."
Sekretari i Mbrojtjes tha se avionët kinezë po fluturonin afër Tajvanit në numër rekord pothuajse çdo ditë.
Tensionet midis Taipeit dhe Pekinit janë rritur që kur Kina organizoi lojëra luftarake pranë ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike në gusht, pas një vizite të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.
Pekini, i cili e sheh Tajvanin si një provincë kineze, ka thënë prej kohësh se do ta venosë ishullin e vetëqeverisur nën kontrollin e tij dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta bërë një gjë të tillë.
Qeveria në Taipei hedh poshtë pretendimet e Pekinit dhe thotë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e tij.
Zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara po nxjerrin mësime nga Ukraina për të "forcuar aftësitë vetëmbrojtëse të partnerëve tanë të Indo-Paqësorit."/VOA