Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka zhvilluar një konferencë për mediat, në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të aleancës.
Gjatë konferencës, prej gazetarëve e ka pyetur sekretarin nëse ka rrezik për destabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Rutte deklaroi se aleanca po ndjek situatën në këtë rajon dhe shtoi se pret llogaridhënie nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç lidhur me sulmin në Banjskë në vitin 2023.
Rutte konfirmoi se NATO, nëpërmjet misionit të KFOR-it dhe aktiviteteve të tjera, po i shikon nga afër zhvillimet në Kosovë.
“Unë edhe aleanca jemi në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Po presim për llogaridhënie për atë që ka ndodhur në Banjskë në vitin 2023 dhe për ngjarjet e tjera më 2023. Ndjekim nga afër ngjarjet dhe përmes KFOR-it dhe aktivitetet e tjera në Ballkanin Perëndimor, si në Bosnjë dhe Kosovë, ne jemi shumë të përfshirë dhe i ndjekim gjërat nga afër”, tha ai.
Kërkesë të ngjashme për përcaktimin e përgjegjësisë për Banjskën, sekretari Rutte bëri në fund të janarit.
Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serb.
Millan Radoiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.
Komente












