PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/.-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku do pritet në takime të veçanta nga Presidentja dhe Kryeministri.
Sipas axhendës së njoftuar zyrtarisht nga institucionet kosovare,
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të presë në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në orën 11:15 në Kabinetin e Presidentes.
Ndërsa takimi me Kryeministrin Isa Mustafa do të zhvillohet në orën 12:20 në ndërtesën e Qeverisë, për të vijuar në orën 12:50 me konferencën e përbashkët për shtyp.
Gjithashtu, media ka njoftuar edhe për takime të tjera. Gjatë vizitës Stoltenberg do të takohet me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo. Ai do të takohet edhe me trupat e KFOR-it dhe përfaqësuesit kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Po ashtu, Stoltenberg do të ketë një intervistë ekskluzive për RTK-në./b.j//m.m/