Aleatët me sa duket nuk kanë mbetur aspak të kënaqur nga emërimet më të fundit në postet e zv.ministrave dhe prefektëve. Nëse pas formatimit të kabinetit të ri qeveritar nga Edi Rama dhe mospërfshirjes së asnjë partie aleate me një post ministri, duke ndarë në këtë mënyrë pushtetin me Metën, asnjë nga krerët e partive aleate përjashtuar Ngjelën nuk kishte folur ashpër, ditën e djeshme nuk ka ndodhur kështu.
Ndonëse me tone jo fort të forta, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Kristian Demokrate Dhimitër Muslia ka deklaruar se kishin mbetur të befasuar nga veprimi më i fundit i kreut të qeverisë, njëherësh dhe kryetar i PS. “Jemi të befasuar nga moskorrektesa e zbatimit të marrëveshjes parazgjedhore që kryetari i mazhorancës dhe PS, njëherësh kryeministër Edi Rama ka nënshkruar nga partitë aleate me PS, për bashkëqeverisjen e vendit pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit”, ka deklaruar dje për gazetën “Shqiptarja.com” numri dy i Partisë Kristian Demokrate Dhimitër Muslia.
Vtëm një ditë pas publikimit të listës së emrave të zv.ministrave, ku përpos PS, LSI dhe PBDNJ asnjë parti tjetër nuk kishte një pozicion të tillë në nivelin e dytë të qeverisjes, reagimi i PBKD ka ardhur menjëherë, duke shprehur tërë shqetësimin e tij për këtë anashkalim të aleatëve të vegjël nga ana e Ramës. Njëherësh Muslia ka paralajmëruar dhe hapat që do të ndërmerren në lidhje me të ardhmen, ku forumet drejtuese të kësaj partie pritet të detajojnë qëndrimin e mëtejshëm ndaj koalicionit qeverisës. “Në fillim të javës do mblidhet kryesia e Partisë Kristian Demokrate, e cila do marrë vendime të rëndësishme për qëndrimet politike të metejshme në raport me koalicionin qeverisës.
Dhe këto vendime të marra në kryesi, do t’i propozohen Këshillit Kombëtar të PKDSH për një vendim përfuqndimtar në të ardhmen për qëndrimin ndaj koalicionit”, ka nënvizuar sekretari i përgjithshëm i PKDSH Muslia. Për të cilin fryma kristiane duhet të merret në kosideratë. “Mendojmë që fryma krisitiandemokrate që është dominante dhe në Bashkimin Evropian duhej të ishte prezente dhe në qeverisjen e Shqipërisë”, ka nënvizuar Muslia. Ndërkohë që drejtuesit e tjerë të partive aleate, ndonëse të shqetësuar nuk kanë preferuar të komentojnë, duke deklaruar se janë në pritje, pasi ka ende kohë dhe pozicione qeverisës për të kontribuar në bashkëqeverisje.
Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com