Sulmi ushtarak rus në Ukrainë “mund të jetë fillimi i fundit” për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Lizz Truss.

Në një intervistë në Sky News, Truss tha se "ne po shohim rezistencë të fortë dhe të guximshme ukrainase dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t'i furnizojë ata me armë dhe mbështetje ekonomike".

Sipas Truss, Putin "po bënte një gabim strategjik" duke pasur parasysh dëmin që sanksionet perëndimore do t'i bëjnë ekonomisë ruse.

Por ajo shtoi se lufta mund të zvarritet për "disa vite", duke theksuar: "Kam frikë se kjo nuk do të përfundojë shpejt. Kam frikë se ky konflikt mund të jetë shumë i përgjakshëm".

Lufta në Ukrainë do të shkaktojë një kosto ekonomike edhe në Mbretërinë e Bashkuar tha ajo, por shtoi se populli britanik do ta kuptojë çmimin që do të paguanim nëse nuk i rezistojmë Putinit tani.

Ukraina ka hyrë në ditën e katër të pushtimit, teksa luftimet janë intensifikuar në disa qytete, përfshirë edhe kryeqytetin, Kiev. Trupat ruse kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Ukraina ka bërë thirrje për më shumë mbështetje, teksa vendet perëndimore thonë se do të heqin disa banka ruse nga rrjeti Swift, duke i shkëputur ato nga sistemi financiar ndërkombëtar. SHBA, Gjermania dhe Holanda po dërgojnë më shumë armë për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Ukrainës.