Kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kontingjenti ushtarak i përfshirë në fillim përbëhej nga 190 mijë trupa. Gati pesë vjet më vonë, ushtria e Moskës ka regjistruar më shumë se dyfishin e numrit të të vdekurve krahasuar me numrin fillestar të ushtarëve, të cilët supozohej ta fitonin luftën brenda pak ditësh.

Por ekziston edhe një tjetër shifër që nxjerr edhe më shumë në pah se deri në çfarë mase aventura ushtarake kundër Kievit përbën një dështim kolosal të Vladimir Putinit. Në vitin 2022, Rusia kishte gjithsej rreth 900 mijë ushtarakë. Pesë vjet më vonë, ukrainasit, duke u mbrojtur, kanë vrarë, plagosur ose kapur me shumë gjasë një numër rusësh që është më shumë se dyfishi i efektivëve të asaj që, vetëm pesë vjet më parë, konsiderohej një nga ushtritë më të mëdha dhe më të frikshme në botë.

Rezistenca e Kievit e ka asgjësuar më shumë se dy herë ushtrinë fillestare ruse. Ndërkohë, përparimi i trupave të Moskës ka hyrë në një ngërç gjithnjë e më të dukshëm. Sipas Institutit për Studimin e Luftës (Institute for the Study of Ëar), këtë vit ushtria ruse ka përparuar në zonat më strategjike të Donbasit me vetëm 250 metra katrorë në ditë. Në vitin 2025, në të gjithë territorin e Ukrainës, përparimi kishte qenë mbi 13 kilometra në ditë.

Nëse ky është realiteti, dhe është i tillë, rrjedhja e informacionit për 400 mijë ushtarë rusë të vrarë në luftë deri në muajin gusht përbën shumë më tepër sesa një shqetësim kalimtar për Vladimir Putinin. Ajo është pasqyra e dështimit të tij për të mbrojtur qytetarët rusë dhe e natyrës iluzore të strategjisë së tij për pushtimin e territoreve ukrainase.

Pamja që fshihet pas murit të fshehtësisë është ajo e një katastrofe të imponuar popullit rus nga autokrati i Kremlinit.

Maria Vyushkova, studiuese ruso-amerikane në Kembrixh, e specializuar për ushtrinë ruse, vlerëson se numri i viktimave i kalon dy milionë.

“Duke marrë parasysh numrin e personave të zhdukur dhe vonesat në regjistrimin e vdekjeve zyrtare, numri real i të vrarëve mund të jetë rreth 500-600 mijë”, thotë ajo, “ndërsa humbjet totale duhet të shumëzohen me katër, nëse llogariten edhe të plagosurit rëndë, robërit e luftës dhe dezertorët”.

Nuk është çudi që numri i ushtarëve të vrarë në Ukrainë ka qenë, që prej vitit 2022, një nga sekretet më të ruajtura të shërbimeve sekrete të Moskës. Për këtë arsye, do të ishte shumë e rëndësishme të kuptohej saktësisht se kush e ka çarë këtë mur heshtjeje dhe si ka qenë e mundur të realizohej një gjë e tillë.

Sepse nuk duhet të ketë qenë aspak e lehtë. Shifrat kaq të jashtëzakonshme të të vrarëve nuk mund të gjendeshin në ndonjë dosje të zakonshme dixhitale të institutit rus të statistikave, Rosstat, krahas të dhënave për aspekte të tjera të parëndësishme të jetës civile.

Ky ishte një nga sekretet më delikate shtetërore dhe duhej të ishte objekt i një mbikëqyrjeje jashtëzakonisht të rreptë nga ana e një superfuqie me përvojë të madhe në të gjitha format e luftës informatike.

Megjithatë, sekreti u thye, zyrtarisht nga dy grupe jozyrtare hakerësh: ukrainasit e “Silent Crow” dhe bjellorusët që e quajnë veten “Silent Partisans”.

Ndoshta nuk do të dalin kurrë prova të sigurta për mënyrën se si u zhvillua operacioni, por ai duhet të ketë qenë jashtëzakonisht profesional. Aq profesional, saqë lind dyshimi se pas këtyre dy emërtimeve të grupeve të hakerëve mund të kenë qëndruar edhe aftësitë dhe ekspertiza e disa prej shërbimeve më të mira evropiane të inteligjencës.

Në fund të fundit, rrjedhja e informacionit nga Moska vjen në një moment delikat.

Gjatë javëve të fundit, tetë anije tregtare janë goditur nga dronë në ujërat përballë Rumanisë dhe Bullgarisë, ndërsa rreth dyzet fluturime evropiane janë bllokuar ose devijuar për shkak të alarmeve për bomba, të cilat më pas rezultuan të rreme.

Edhe në këto raste, pas akteve të tilla destabilizuese duket se qëndron një grup jozyrtar i quajtur “Muzhskoye Gosudarstvo” (“Shteti Mashkullor”), këtë herë i ekstremit të djathtë dhe i lidhur me Moskën.

Megjithatë, shumëkush i ka interpretuar këto ngjarje si pjesë të masave gjithnjë e më të reja të luftës hibride që Putini po zhvillon në Evropë, duke u përpjekur edhe të nxisë dhunë dhe trazira gjatë protestave në Francë apo Spanjë.

Kushdo që i ka vjedhur dhe publikuar të dhënat e vërteta për ushtarët rusë të vrarë në Ukrainë, mesazhi është i qartë: dobësitë politike të Putinit mund të nxirren gjithmonë në dritë, nëse autokrati rus vazhdon të përpiqet të destabilizojë jetën civile në Evropë.

Putini ka shkatërruar aq shumë jetë të bashkëqytetarëve të tij, saqë tani mund të detyrohet të shqyrtojë mundësinë e një mobilizimi të detyruar për të plotësuar radhët e ushtrisë. Një vendim i tillë do të ishte jashtëzakonisht jopopullor.

Po aq jopopullore do të ishin edhe zbulime të reja dhe të papritura për mënyrën se si ai e ushtron pushtetin. Për shembull, për madhësinë e llogarive bankare jashtë vendit që lidhen me të dhe me familjen e tij./Corriere