TIRANE- Teksa prokurorët kanë ngritur 6 akuza të rënda ndaj Andon Mëhillajt, nga dy avokatët mbrojtës Edmond Dema dhe Lazer Sokolaj është ngritur një alibi surprizë, pasi sipas tyre i dyshuari si organizator i vrasjeve me pagesë vuan nga çregullime mendore. Kjo duket se do jetë karta më e fortë e dy avokatëve mbrojtës gjatë hetimit dhe gjykimit, ku njëri prej tyre Lazer Sokolaj, i kontaktuar nga gazeta “Shqipëtarja.com” ka deklaruar se zotërojnë prova për të bindur gjykatës se Andon Mëhillaj ka çregullime mendore. “Klienti im vuan nga një sëmundje mendore dhe se për këtë ka marrë ilaçe për një periudhë kohe.

Mund tju them se si pasojë e komplikacioneve që ka pasur është trajtuar dhe në spitalin psikiatrik në Vlorë, dhe se shumë shpejt në do kërkojmë nga ky institucion që të na vihet në dispozicion kartela mjekësore, ku është shënuar gjëndja shëndetësore dhe kurimi i Andon Mëhillaj”-shprehet avokati Lazer Sokolaj. Ky i fundit ka shtuar se Mëhillaj gjatë kësaj kohe nuk ka dhënë asnjë shpjegim në polici dhe në prokurori, pasi është terorizuar nga shkrimet mediatike dhe dëshmia e Sinanaj, ku me këtë person nuk ka pasur kontakte dhe as marrëdhënie dy vitet e fundit.

Ekspertimi psiqik
Për të forcuar akoma dhe më tepër pretendimin se Andon allias Erjon Mëhillaj vuan nga çregullime mendore, avokati mbrojtës Lazer Sokolaj, pritet që në ditët në vijim ti kërkojë gjykatës dhe prokurorisë të kryejnë një ekspertim psiqik ndaj klientit të tij, me qëllim nxjerjen e një raporti ku të tregohet mbi gjëndjen e tij mendore.”prej vitesh Andon Mëhillaj mjekohet me qetësues të fortë”-është shprehur Sokolaj.

Mësohet se i  dyshuari si organizator i vrasjes me pagesë, ka shfaqur probleme mendore, që pas kthimit nga Italia vite më parë, ku mendohet, se ka qenë dëshmitar i vetëvrasjes së vëllait të tij. Madje edhe në sallën e gjyqit Andon Mëhillaj, shfaqi shenja hutimi, ku mezi shqiptoi emrin e avokatit mbrojtes. Ai nuk pranoi akuzat e prokurorisë, duke u shprehur, se ndihej i frikësuar nga vrasësi i arrestuar Julian Sinanaj, me të cilin tha, se kishte njohje prej vitesh, por kohët e fundit ska pasur marrëdhënie shoqërore. Ndërsa në lidhje me akuzat si porositës I vrasjes së Sokol Veizajt, Agron Çelës dhe vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e Ardian Kollozit, i vetëdorëzuari në prokurori Mëhillaj ka mohuar implikimin.

“Arrest me burg”
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë është zhvilluar në orën 08:30,të mëngjesit ku gjyqtarja Eleva Deda, pasi është njohur me gjeneralitetet e Mëhillajt, dhe ka dëgjuar palët në proces, ka vendosur të lerë në masën e sigurisë “Arrest me burg” Andon Mëhillaj.Gjatë seancës avokati Lazer Sokolaj i ka shprehur gjyqtares Deda, se klienti i tij me vullnetin e lirë është dorëzuar në zyrën e Prokurorit të Vlorës Kosta Beluri.

Sipas avokatit, Mëhillaj është vënë në shërbim të plotë të hetimit dhe se në ditët në vijim do japë dhe shpjegimet e tij lidhur me dëshminë që Julian Sinanaj ka dhënë kundër tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Sokolaj, sqaroi se Mëhillaj nuk ka marrë pjesë në asnjë vrasje dhe smund të shpallet fajtor vetëm me dëshminë e një personi, i cili e implikon pëpr arsye të ndryshme në këtë histori vrasjes me pagesë.

Nga ana tjetër dy prokurorët Ardian Nezha dhe Behar Dibra, i kanë rikujtuar gjykatës së Andon Mëhillaj, është personi që dyshohet se akuzohet për 6 vepra penale, dhe nisur nga kjo situatë, duhet të qëndrojë në qeli nën masën e “Arestit në burg”. Gjyqtarja Etleva Deda, ka pranuar kërkesën e prokurorit. Pritet që ky vendim të apelohet në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda në ditët në vijim.

Shkrimi u publikua sot (15.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)