Një sasi prej 320 kg kanabis e cila u kap nga Policia Greke në Korfuz ditën e djeshme mësohet të jetë nisur nga bregdeti i Sarandës.

Dy shqiptarë u përpoqën ta fshehin sasinë narkotike në plazhin e Dassias ndërkohë që policia ka ndërhyrë menjëherë duke arrestuar njërin prej tyre, një 62-vjeçar.

Ndërkaq siç bëjnë të ditura burimet greke, transportuesit shqiptarë janë larguar pa lënë gjurmë me skaf.

Ka qenë një operacion i organizuar policor në Korfuz, nga oficerë policie të Departamentit të Antidrogës të Nën-Drejtorisë së Sigurisë së Korfuzit.

Burimet greke konfirmojnë se sasia prej 320 kg kanabis ishte nisur nga brigjet e Sarandës. Policia greke ka ndërmarrë hetim disa mujor për të gjetur qarqet e organizuara të trafikut të drogës në vijën bregdetare verilindore të ishullit të Korfuzit.

Siç doli nga hetimi i deritanishëm i policisë, sasia e drogës u transportua dhe iu dorëzua shqiptarit pak para arrestimit të tij, duke përdorur dy skafe (tip jet ski) që ishin afruar në plazhin ku u zhvillua operacioni.

1609227222_droga.jpg