Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se pavarësisht se ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku janë shtuar tre akuza të reja, ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga Prokuroria e Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se mbi Ballukun rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: ‘korrupsion pasiv’, ‘pastrim parash’ dhe ‘fshehje pasurie’, të cilat i shtohen akuzës së parë për ‘shkelje të barazisë në tendera’ në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.

Më tej Bardhi thekson SPAK po bëhet pjesë e lojës politike, duke i dhënë kohë sipas tij kryeministrit Edi Rama, që të bëjë manovra politike.

Komentet e Bardhit vijnë 5 ditë pasi SPAK i sekuestroi një tjetër vilë Ballukut, këtë herë në Palasë, e cila njësoj si vila në Dhërmi e sekuestruar më herët, figuronte në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.

Reagimi i Bardhit:

DITA 5

Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.

Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.

Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.

Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?

Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë