Policia Kufitare e Kakavijës ka sekuestruar 25 950 euro.
Gjatë kontrollit një 60 vjeçari nga Berati, iu gjetën 10 950 euro të padeklaruara, ndërsa një 54 vjeçareje, banuese në Tiranë, iu gjetën 15 000 euro në çantë, gjithashtu të padeklaruara.
Paratë u sekuestruan si provë materiale.
Njoftim i plotë:
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, janë goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave. Konkretisht, në dalje të RSh-së, u kaluan për kontroll në vijë të dytë, shtetasit:
-F. V., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 10 950 euro që ai nuk i kishte deklaruar;
-M. J., të cilës iu gjetën në çantë, 15 000 euro që ajo nuk i kishte deklaruar.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasit F. V., 60 vjeç, banues në Berat dhe M. J., 54 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Komente











