Suad Mernica, një 42-vjeçar me banim në Fier u ndalua nga policia pasi rezultoi se drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Por gjatë kontrollit, blutë i zbuluan në makinë edhe një sasi kokaine, dhe dy maska silikoni.
Dyshimet e policisë, janë se këto maska do të përdoreshin në ndonjë veprimtari kriminale, për të fshehur identitetin e tij duke qenë se ato imitojnë me saktësi teksturën e lëkurës njerëzore, rrudhat, dhe tiparet e një personi tjetër. Këto maska shiten ilegalisht edhe përmes rrjeteve sociale me çmime që arrijnë qindra euro, duke u blerë nga persona me precedentë penalë
Edhe më herët autoritetet kanë kapur persona me maska silikoni në fytyrë, të dyshuar se po përgatiteshin për atentate.
Në të njëjtin operacion të koduar “Siguria”, policia ndaloi në Fier babë e bir Zija dhe Endrit Troka 60 dhe 25 vjeç pasi në banesë iu gjetën një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Ndërkohë në Lushnje, gjatë fazës së tretë të operacionit, policia arrestoi Misir Bllikun dhe shpalli në kërkim djalin e tij 32-vjeçar Lutfi Blliku. Edhen ë banesën e tyre u gjetën dy kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu. Paraprakisht, dyshohet se armët e gjetura në këtë banesë në Lushnje janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
"Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Siguria”, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë finalizuan tri faza të këtij operacioni, konkretisht:
1.Në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 42 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas qarkullonte me lëndë narkotike kokainë, drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe, gjatë kontrollit, iu gjetën dy maska silikoni, që dyshohet se do t'i përdorte për të kryer veprimtari kriminale.
2.Po në Fier, gjatë fazës së dytë të operacionit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga dy shtetasit Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç (babë e bir), të dy banues në Fier.
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (një kallashnikov dhe një pistoletë), një armë gjahu, municion luftarak dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
3.Ndërsa në Lushnjë, gjatë fazës së tretë të operacionit, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin M. B. dhe shpallën në kërkim shtetasin L. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë (babë e bir).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas një hetimi disa javor, ushtruan kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu. Paraprakisht, dyshohet se këto armë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë", njofton Policia.
Bashkë me armët e sekuestruara në Fier ato do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento