Sekuestrohet vila e Zogut, nuk
ktheu kredinë 500 mijë euro

Sekuestrohet vila e Zogut, nuk<br />ktheu kredinë 500 mijë euro
TIRANE- Gjykata e Tiranës vendos të sekuestrojë një nga vilat e princit Leka Zogu II, për shkak se ky i fundit për 25 këste me rradhë ende nuk ka paguar kredinë e marrë në një nga bankat e nivelit të dytë, kredi kjo që kap shifrën prej mbi 518 mijë euro. Vendimi për bllokimin e vilës dhe një pjesë të eurove është marë nga gjyqtarja Elda Vrioni 15 maj të këtij viti, ku pas kërkesës së bankës ku prince Leka ka marrë kredinë, gjykata ka vendosur menjëherë pranimin e saj. Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, bëhet fjalë për lidhjen e një kontrate mes princit Leka Zogu dhe një banke të nivelit të dytë. Në bazë të kontratës lëvrohej një shumë prej 518.022 euro dhënie për blerje shtëpie me një afat prej 300 muaj. Personi që ka marë këtë shumë është Leka Zogu II, i cili siç duket nga problemet ekonomike që ka familja e tij e ka pasur të pamundur të shlyejë këstet mujore. Për pasojë kjo ka sjellë më pas që palët të hyjnë në konflikt, duke përfunduar deri në dyert e gjykatës së Tiranës. Pas dëgjimit të palëve në proces, gjykata ka vendosur ti japë të drejtë bankës, duke urdhëruar sekuestrimin e shumës së parave dhe banesës që është blerë nga princi Leka Zogu.

Vendimi i gjykatës
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës dhe akteve që i bashkëngjiten asaj, gjykata pasi dëgjoi palën kërkuese që kërkoi pranimin e kërkesës, pasi shqyrtoi provat e paraqitura dhe konsultoi ligjin në lidhje me këtë kërkesë vëren se pala kërkuese është person juridik, e regjistruar si shoqëri anonime që ushtron veprimtari bankare si bankë e nivelit të dytë me seli në Tiranë. Më datë 16.12.2008 midis palës kërkuese dhe subjektit kredimarrës Leka II Zogu me hipotekuese Kaliopi Guli Kosta, është nënshkruar kontrata për marrëdhënien e kreditimit - ndryshuar më pas me kontratën e kredisë Bankare dhe Hipotekës, me nr.931 Rep, nr.365 Kol datë 17.02.2009, në lëvrimin e shumës në total prej 518.022 euro, dhënë për blerje shtëpie, me afat 300 muaj; kushtet përkatëse të marrëdhënies kontraktore janë të përshkruara hollësisht në të dy kontratat. Pala kërkuese pretendon se kredimarrësi, nga data e disbursimit të kredisë nga ana e bankës e deri në momentin e shqyrtimit të kërkesës, nuk ka shlyer detyrimin sipas marrëveshjes kontraktore. Sipas aktit të datës 03.05.2012, - Konfirmim mbi detyrimin e huasë/kredisë-lëshuar nga Departamenti për Mbledhjen e Kredisë, rezulton nga përllogaritja e detyrimit se: deri më datë 03.05.2012, detyrimi total i kredimarrësit i papaguar është 607,126.13 euro dhe se kredimarrësi ka 25 këste mujore të papaguara. Në rrethanat e mësipërme është kërkuar lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për ekzekutimin e detyrueshëm të detyrimit kontraktor. Gjykata duke pasur parasysh provat e paraqitura dhe kërkesat ligjore të parashikuara nga neni 510 e vijues i K.Pr.Civile, çmon se duhet të pranohet kërkesa e paraqitur. Neni 510 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Civile e lidh fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv dhe sipas paragrafit të dytë germa "d" të kësaj dispozite, aktet për dhënien e kredisë bankare parashikohen si tituj ekzekutivë. Ky përcaktim ligjor gjen pasqyrim edhe në nenin 12, pika 1 e kontratës. Nisur nga këto përcaktime ligjore, kontrata e paraqitur nga kërkuesi është titull ekzekutiv, mundësia e menjëhershmërisë së pretendimeve së pagesës së plotë, është parashikuar mes palëve kontraktuese në rast mospagimi të kësteve brenda afateve dhe konkretisht në nenin 10.1, germa 'a' e Kontratës, si edhe pika 2 e po këtij neni të kontratës së lidhur mes palëve më datë 16.02.2008. Sipas kontratës së dytë datë 17.02.2009 - paragrafi i fundit i saj, dispozitat e sipërcituara, janë parashikime në fuqi të marrëdhënies kontraktore. Në këto rrethana meqenëse jemi para një akti për dhënien e kredisë bankare që përbën titull ekzekutiv e që nuk është ekzekutuar në mënyrë vullnetare (sipas aktit të njoftimit për zgjidhje kontrate dhe kthim të kredisë,-me nr.939 prot date 26.04.2012, nisur për komunikim kredimarrësit), gjykata arrin në përfundimin se duhet të lëshohet urdhri i ekzekutimit për t'i hapur rrugë ekzekutimit të detyruar të saj. Shpenzimet gjyqësore në masën e pagesës prej 800 lekë për ngritjen e kërkesës janë në ngarkim të palës kërkuese.

PËR KËTO ARSYE
Gjykata, në bazë të nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile
VENDOSI
1.Pranimin e kërkesës.
2.Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për kontratën e kredisë bankare me Nr.8802 Rep, nr.3310 kol të lidhur më datë 16.12.2008, ndryshuar me kontratën e kredisë Bankare dhe Hipotekës, me nr.931 Rep, nr.365 Kol datë 17.02.2009 midis bankës dhe kredimarrësit Leka II Zogu.
3.Urdhërimin e shërbimit përmbarimor, për ekzekutimin e titullit ekzekutiv.
4.Shpenzimet gjyqësore në masën 800 lekë, në ngarkim të palës kërkuese.
5.Ky vendim lëshohet vetëm në një kopje.
U shpall në Tiranë sot më date 15 .05.2012
SEKRETARE
Entela Husi
GJYQTARE
EldaVrioni

(ne foto Princ Leka II dhe e fejuara Elia Zaharia)

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, parashikimi i motit për këtë javë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, parashikimi i motit për këtë javë