Selia e Shenjtë, vulat papnore
për princat shqiptarë

Selia e Shenjtë, vulat papnore<br />për princat shqiptarë
Milan Shuflaj, themeluesi i medievistikës shqiptare, e konsideronte shekullin XIV si shekulli kur katoliçizmi arriti kulmin në territoret arbërore. E në fakt, një gjë e tillë mund të indentifikohet lehtësisht nga përhapja e urdhërave mendikanë e monastikë, si dhe nga kishat e manastiret e shumta katolikë që zunë vend në të gjithë territorin e Shqipërisë së sotme politike e më gjërë.

Katoliçizmi arriti shtrirjen më të madhe në këto territore, por gjithashtu edhe intensitetin më të madh gjë që vihet re edhe nga dokumentacioni i dendur me Selinë e Shenjtë. E gjithë kjo ndodhi në sajë të kushteve politike pro-katolike që u krijuan nga riafirmimi i Regnum Albaniae gjatë këtij shekulli, jo vetëm nga Selia e Shenjtë, dhe forcat perëndimore, por edhe nga vetë shqiptarët.

Në librin e tij The King’s Tëo Bodies Kantoroëicz argumenton, që mbreti si titull është i përbërë nga trupi fizik dhe trupin politik, e ndërsa i pari mund të vdesë e të shuhet, i dyti është i përjetshëm.

Nëse ndjekim këtë logjikë politike edhe për Regnum Albaniae (Mbretërinë e Arbërit) që ishte një mbretëri perëndimore nga mënyra se si ishte krijuar në vitin 1272, duhet të pranojmë që edhe Regnum Albaniae ishte e përjetshme, pavarësisht nëse kishte apo kishte mbretër e pasardhës të mbretërit që do të merrnin fronin mbretëror.

Duhet të ketë qenë pikërisht kjo logjikë politike që ka përligjur vendimin e Selisë së Shenjtë për t’iu adresuar fisnikëve të kësaj mbretërie gjatë shekullit XIV në korrespondencën e saj. Qëllimi është sigurisht politik: Selia e Shenjtë dëshironte të fuqizojë një mbretëri fantazmë për ta pasur si bazë në brigjet juglindore të Detit Adriatik, në mënyrë që të përligjë përpjekjet për t’u shtrirë në Ballkan.

Se sa i besojnë shqiptarët kësaj strukture politike dhe si e personalizojnë ata rolin politik që u jepet nëpërmjet saj, këtë do ta shqyrtojmë në këtë kontribut modest. Është tashmë e njohur që Mbretëria e Arbërit u krijua në vitin 1272 nga Karli I Anzhu, i cili e kishte projektuar dhe ndërtuar atë si bërthamë e një perandorie të madhe ballkanike.

Fisnikët shqiptarë qenë të pakënaqur me këtë strukturë politike që në fillimet e saj, sepse pritshëmëria e tyre për autonomi dhe superioritet në skenën politike nuk u mor parasysh në drejtimin e kësaj mbretërie. Karli I Anzhu u përpoq t’i mbante nën kontroll vendasit me anë të masave të dhunshme, e kjo çoi në përkeqësimin e marrëdhënieve të tij me vendasit.

Fisnikët shqiptarë si Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit, si dhe Blinishtët, Skurajt, Jonimët etj., jo vetëm që iu kundërvunë Karlit I Anzhu, por edhe gjithë formacionit politik Regnum Albaniae, të cilin mesa duket e konsideruan si pjesë e administratës shtypëse të Anzhuinëve. Pas kësaj, Mbretëria (anzhuine) e Arbërit u reduktua në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Megjithatë, me vdekjen e Karlit I Anzhu, filloi të ndryshonte edhe qendrimi që kishin fisnikët vendas ndaj Mbretërisë së Arbërit.

Në vitet ’90 të shekullit të 13-të, fisnikët vendas filluan t’i rimarrin në konsideratë ndihmat që mund t’u ofronin anzhuinët për neutralizimin e tensioneve me fqinjët sulmues: serbët dhe bizantinët. Duke qenë të sulmuar nga mbreti serb Stefan Uroshi II Milutin, që kishte ardhur deri në vijën Mat-Ohër, në shtator të vitit 1304, bashkësia qytetare e Durrësit dhe krerët shqiptarë nga familjet Matranga, Arianiti, Skura, Blinishti, Zenebishti, Shpata etj., njohën për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karl I Anzhu, i cili nuk pretendoi kurrë të quante veten mbret, si pasardhës i Karlit I Anzhu. Ai i ndihmoi shqiptarët në luftë kundër serbëve pushtues.

Megjithatë kur erdhi koha për të vendosur pushtet real në Durrës, edhe në këtë fazë të mëvonshme të Mbretërisë e Arbërit, anzhuinët e Napolit u konsideruan si armiq nga fisnikëria vendase.

Kjo duhet të ketë qenë arsyeja se përse në vitin 1311 anzhuinët e Napolit arritën deri aty sa të mendonin t’i shkëmbenin zotërimet e tyre në Shqipëri me Sicilinë, por titullari i kësaj të fundit, Frederiku i Aragonës, pasi mori vesh që në Durrës dhe në “mbretërinë e Arbërisë është e vështirë të vendosësh pushtet real nga jashtë, nuk e pranoi ofertën e Anzhuinëve, megjithëse e dinte që këto territore “ishin shumë të pasura e bujare”.

Ngjarjet morën një zhvillim të ri në dekadën e dytë të shek. XIV dhe pikërisht me daljen në skenën politike ballkanike të Selisë së Shenjtë. Selia e Shenjtë nuk kishte pasur asnjë kontakt me Mbretërinë e Arbërit gjatë kohës që Karl I Anzhu ishte gjallë, të paktën jo në bazë të dokumenteve të shkruara të regjistruara në regjistrat e Kancelarisë Apostolike.

Kjo mungesë dokumentesh mund të sugjeronte edhe një lloj mosnjohje apo mospranim të Mbretërisë së Shenjtë nga Selia e Shenjtë gjatë kësaj periudhe të parë të ekzistencës së Mbretërisë së Shenjtë. Arsyet pse papati nuk e kishte njohur atë si formacion politik nuk na janë treguar asgjëkundi në mënyrë ekplicite.

Në vitin 1317 fillon një korrespondencë e dendur midis Selisë së Shenjtë dhe fisnikëve të Mbretërisë së Arbërit, dhe termi Regnum Albaniae fillon të shfaqet rregullisht në kancelarinë papnore. Që nga viti 1272, kur kishte filluar të ekzistonte “Mbretëria e Arbërit”, dokumenti i parë papnor që e përmend atë vjen nga viti 1317.

Ky dokumenti i parë, kur fillon të përdoret termi Regnum Albaniae (Mbretëri e Arbrit) në kancelarinë papnore, është një dokument i veçantë dhe vjen pikërisht nga 10 maji i vitit 1317. Në të papa Gjoni XXII kërkon që Guljelm Montegrano, ipeshkvi i Kunavisë, në kryeipeshkvinë e Durrësit, në mbretërinë e Arbërisë të paraqitet në Avinjon.

Megjithatë kjo përmendje nuk është as lapsus dhe as rastësi. Muk mund të konsiderohet lapsus apo rastësi një dokument i tillë, sepse papati ishte pushteti qendror, dhe po ta krahasojmë me kohën në të cilën jetojmë do të ishte sikur Këshilli i Bashkimit Evropjan t’i drejtohej me emër një shteti që nuk ekziston. Megjithatë që papati ishte i ndërgjegjshëm për një adresim të tillë, këtë e vërteton vargu i dokumenteve papnore që ndjekin këtë të parë.

Pas kësaj bule, vijon një numër i konsiderueshëm bulash papnore që datojnë nga viti 1317 deri në vitin 1320, në të cilat përmendet pothuajse gjithmonë Regnum Albaniae. Përsa i përket kontekstit të këtyre bulave, duhet thënë që të gjitha ato, direkt apo indirekt kanë lidhje me një kryengritje që po përgatitet kundër mbretërisë serbe, e cila po u shkakton shumë vuajtje katolikëve të territoreve që mbretërit serbë kanë pushtuar dhe sidomos shqiptarëve katolikë.

Dashje pa dashje, në të gjitha këto bula vihet re një figurë shumë e rëndësishme, por fare e pastudiuar shqiptare e kësaj periudhe: Ndreu, ipeshkvi i Krujës. Analizën e këtyre dokumentave do ta fillojmë me këtë figurë, sepse bula e dytë që regjistrohet pas asaj të mësipërmes flet pikërisht për gjëmën që i ka ndodhur Ndreut, gjë që do të bëhet pikënisje për të gjithë dokumentet e mëtejshme.

Në dokumentat papnore Ndreu njihet si Andrea Croensi. Ndreut, megjithëse siç do të tregojmë më poshtë, nuk ka dyshim që ishte një njeri shumë i rëndësishëm, edhe pse në historinë tonë kombëtare nuk ka qenë dokumentuar shumë mirë deri tani, prandaj dhe nuk ka tërhequr vëmendje të veçantë.

E filloi karrierën e tij duke u dëbuar. Nga një bulë papnore, që është regjistruar dy herë edhe në regjistrat e Avinjonit edhe në regjistrat e Vatikanit (bula vetë është dërguar në destinacion), marrim vesh që më 17 shtator të vitit 1317, Ndreu dëbohet nga posti i tij si ipeshkv i Krujës.

Është pikërisht Uroshi (1282-1321) mbreti serb, ai që e detyron Ndreun, ipeshkvin e Krujës të largohet nga posti i tij, sepse i martuar me Simonën në vitin 1299, vajzën e perandorit bizantin Andronikut II-të, ai kërkon që të bëjë politikën bizantine, megjithëse është rritur nga një nënë katolike siç ishte Helena e Francës dhe bashkë me të kishte themeluar dhe ndihmuar shumë manastire katolike në veri të Shqipërisë dhe në Mal të Zi.

Rëndësia që kanë lidhjet martesore, del qartë menjëherë kur vëmë përballë vëllanë e Uroshit, Stefan Dragutin i cili ishte martuar me Katerinën, vajzën e Stefanit V-të, mbretit të Hungarisë, dhe motrën e Ladislaut IV-të, trashëgimtarit të fronit të Hungarisë, dhe ndiqte rigorozisht politikën e perëndimit.

Bula, në të cilën papa Gjoni XXII bën të njohur dëbimin e Ndreut nga ipeshkvia e tij, u drejtohet ipeshkëve të Oristanit në Sardenjë, të Brindizit dhe të Tarantos në Pulje të Italisë. Pasi u tregon atyre se çfarë i ka ndodhur Ndreut(ab eçlesia sua, per Urosium regem Rasciae schismaticum oçupata, exulare compellitur), u bën thirrje atyre që të ndihmojnë Ndrenë duke i siguruar atij një pension prej 50 florenos auri nga të ardhurat e 5 manastireve për 5 vjet (quinquennium).

Sipas Eubelit ipeshkvi i Oristanit të Sardenjës duhet të ketë qenë Guido, i Brindizit Bartholomeu dhe i Tarantos në Pulje Gregori. Mesa duket gjendja ekonomike e Ndreut ka vazhduar të jetë e keqe, sepse më 18 qershor të vitit 1320 papa Gjon XXII-të i dha atij, si dhe kryeipeshkvit të Ohrit, dhe ipeshkvit të Shasit, 100 florenos auri për shkak të gjendjes së mjerueshme të tyre, si rrjedhojë e shkatërrimeve të bëra nga mbreti serb.

Për shkak të vuajtjeve që Ndreu hoqi nga mbreti serb Urosh, si dhe për shkak të përkushtimit të tij ndaj kauzës që mbronte, Ndreu fiton jo vetem respekt, por edhe shumë besim nga ana e papës Gjoni XXII-të, aq sa atij i besohen detyra që normalisht i besohen vetëm një legati (ambasadori papnor). Bula e datës 6 qershor të vitit 1318, po e papës Gjoni XXII-të, i drejtohet Ndreut (që vazhdon të njihet si ipeshkvi i Krujës), si dhe Mihalit, ipeshkvit të Arbërit.

Nuk e dimë nëse Ndreu është kthyer në ipeshkvinë e tij, sepse një gjë e tillë nuk përmendet në bulë, por ajo që në radhë të parë tërheq vemendjen në këtë letër është prezenca e dy ipeshkëve, d.m.th. dy ipeshkvive të ndryshme për një vend që ne deri tani i kemi identifikuar si një i vetëm: ipeshkvia e Krujës, dhe ipeshkvia e Arbërit.

Në fakt një suprizë e tillë nuk është e veçuar. Në Hierarchia Catholica, të Eubelit, e cila mbahet si vepra më monumentale dhe më e saktë në të gjithë botën përsa i përket renditjes së ipeshkëve dhe ipeshkvive në botën katolike, Arbëria dhe Kruja konsiderohen si dy ipeshkvi krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, me ipeshkvë të ndryshëm.

Në këtë vepër monumentale, ipeshkvi i parë i Krujës përmendet në vitin 1286, dhe pikërisht kur ipeshkv ishte Romani që gjendet edhe në librin e shenjtorëve. Pas Romanit kemi Ndreun, pastaj Grigorin, në vitin 1366, Ndreun e minoritëve, dhe pastaj Gjonin. Lista e ipeshkëve vazhdon edhe pas vitit 1400 me Gualterin dhe pas atij Silvestrin, Palin në vitin 1458, dhe Pjetrin në vitin 1468, etj.

Në Arbëri (Arbanensis), ipeshkvi i parë i njohur nga Eubeli është nga viti 1295, dhe është Mihali. Megjithatë në letrën e datës 28 shkurt të vitit 1208, të cilën papa Inocenti III ia drejton Dhimitër Progonit, princit shqiptar, është përmendur Pali, si ipeshkvi i Arbërisë. Tani për tani nuk kemi indikacione për ipeshkvët e periudhës së ndërmjetme midis 1208 dhe 1295, por kërkimet e mëtejshme arkivore mund të na ofrojnë supriza të këndshme në lidhje me ta.

Lista e ipeshkëve të Arbërisë vazhdon pas Mihalit me Martinin (1306), Mihalin II (1307), Lazarin, Laurin (1350), Nikollën (1354), një të panjohur dhe pastaj me Dominikun në vitin 1372, Gjon Lurlin në vitin 1370, Gjon Tergesten në vitin 1391, Thomanë, Gjergjin, Ndreu, Vulkan Suintin, Ndre Sumën në vitin 1425 etj.

Për t’u kthyer sërish tek letra e papës Gjon XXII-të, drejtuar Ndreut, ipeshkvit të Krujës, dhe Mihalit, ipeshkvit të Arbërisë, mirëbesimi i papës vihet re në detyrën që u ngarkon këtyre dy ipeshkëve: të konfirmojnë zgjedhjen e Kostës si kryedhjak të Durrësit.

Po të kësaj date janë edhe dy letra të tjera të papës Gjon XXII-të, në të cilat Ndreut i ngarkohen detyra të tjera si të konfirmojë zgjedhjen e Gjon Rubeut në famullinë e kishës së Shën Nikollës së Petrozës në dioqezën e Kunavisë, e cila sipas Shuflajt ishte një famulli shumë e pasur, dhe të konfirmojë emërimin e Gjon Barbucit në famullinë e dioqezës së Barit.

Po të kemi parasysh që papa Gjoni XXII-të, gjatë pontifikatit të tij e përqëndroi të gjithë sistemin e zgjedhjes, të nominimeve dhe të konfirmimeve në duart e veta, mund të kuptojmë shumë mirë se çfarë besimi kishte fituar Ndreu tek papa Gjoni XXII-të: praktikisht ishte një ndër njerëzit më të besuar të tij.

Mesa do të provojmë më poshtë, papa Gjoni XXII e njihte nga afër Ndreun e Krujës. Një ipeshkv, i cili lejohet që të konfirmojë zgjedhjen e një tjetri (kjo bëhet me qëllim që ai të mos ketë nevojë të shkojë në Kurinë Papnore për të marrë konfirmimin), duhet patjetër të jetë i pranishëm fizikisht në Kuri, për të marrë udhëzimet e duhura dhe për t’iu dhënë një përgjegjësi e tillë.

Një procedurë e tillë është e pashmangshme të paktën gjatë kohës së pontifikatit të Gjonit XXII-të, për shkak të mënyrës strikte të udhëheqjes së tij. Po të kemi parasysh këtë fakt, atëherë Ndreu duhet të ketë qenë në Avinjon në qershor të vitit 1318, për t’u autorizuar atje me autoritetin e plotë për të bërë konfirmimet e sipërpërmendura.

Bulat shoqëruese për konfirmimin e Kostës, kryedhjakut të Durrësit, Gjon Rubeut dhe Gjon Barbucit, janë bula që i janë dhënë me vete Ndreut, me funksionin që të jenë provë për këta njerëz, dhe për ipeshkvitë e tyre, dokumente këto obliguese për të vërtetuar që konfirmimi është bërë nga papa, dhe që ata nuk kanë nevojë më të shkojnë në Avinjon për këtë çështje.

Fakti që Ndreu duhet të konfirmojë edhe zgjedhjen e Gjon Barbucit në Bari të Italisë, që është faktikisht mjaft larg nga Kruja apo Kunavia e Shqipërisë, është një tjetër dëshmi që Ndreu po kthehej nga Avjnioni, dhe meqenëse do të kalonte nga Bari për t’u kthyer në Shqipëri, mund të përfundonte edhe atë porosi në rrugë e sipër.

Rruga nga Shqipëria në Avjnion duhet të ketë zgjatur mesatarisht 20 ditë, sepse në bulën e parë që përmendëm në këtë shkrim, atë të datës 18 maj të vitit 1317, Gulielm Montegrano, ipeshkvi i Kunavisë, urdhërohet të paraqitet urgjentisht personalisht brenda 20 ditëve në Avinjon (infra viginti dies se coram pontifice personaliter sistat), gjë që tregon se udhëtimi normal nuk duhet të ketë zgjatur më shumë se 20 ditë.

Mesa duket gjithmonë kalonte ose nga Tarenti, ose nga Bari i Italisë. Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve na bën të mos kemi asnjë dyshim për sa u tha më sipër në lidhje me famën e mirë të Ndreut.

Përkundrazi mund të shtojmë që Ndreu kishte cilësi të tilla diplomatike, strategjike, burrërore, dhe religjioze që e kishin bindur papën Gjoni XXII t’i besonte atij një ndër misionet më të vështira që mund t’i besohen një njeriu: udhëheqjen e një kryqëzate. Në vitin 1319 ai do të ishte njëriu që do të përfaqësonte papatin dhe mendimet e tij në tërë lëvizjen anti-serbe në Shqipëri.

Shkrimi u botua sot suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print)17.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë