Nga kjo e hënë do të nisë në të gjithë vendin faza e re e vaksinimit për “dermadozën nodulare”, e njohur ndryshe si sëmundja e gjedhit.

Kjo u bë e ditur nga ministri i bujqësisë Edmond Panariti, i cili sqaron se janë 50 mijë doza në dispozicion.

 “Vaksina ka ardhur dhe që ditën e hënë do të jetë në dispozicion të të gjithë blegtorëve, pra ka vaksinë për të gjithë. Praktikisht vjen kontingjenti i parë prej 50 mijë dozash dhe pas dy tre ditësh do të vijë edhe një kontingjent i ri prej 100 mijë dozash. Të gjitha kafshët në territorin e Shqipërisë do të vaksinohen dhe do të jenë të mbuluara me mbulesë imunitare por për t’i rezistuar kësaj sëmundjeje”, tha Panariti.
 
Edhe pse nuk ka një afat se kur do të nisë, ministri Panariti tha se krerët që kanë ngordhur nuk do të kompensohen me para, por me krerë të tjerë.

“Faza e dytë është kompensimi i fermerëve që në këndvështrimin tim do të bëhet me kafshë të gjalla, nuk do të jetë kompensim me para pasi kompensimi me para jo domosdo shkon për bujqësinë dhe blegtorinë. Kafshët që do të shpërndahen do të jenë kafshë të vaksinuara”, u shpreh ministri.

Dermatoza nodulare e gjethit është kthyer në një shqetësim për gjithë fermerët, pasi kjo sëmundje po përhapet me shpejtësi.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com