Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan ka miratuar me 19 vota pro dhe 3 kundër kandidaturën e Eric Wendt për ambasador të SHBA-së në Shqipëri, duke e çuar një hap larg konfirmimit përfundimtar në Senat.
Sipas një komunikimi të zyrës së shtypit të komitetit, kandidatura e Wendt mori mbështetje nga senatorë të të dyja partive kryesore dhe tashmë pritet të kalojë për votim në seancën plenare të Senatit.
Pas miratimit në komision, emri i tij do të futet në kalendarin e Senatit, ku do të zhvillohet votimi final për konfirmimin si ambasador i ri amerikan në Tiranë. Tradicionalisht, kandidatët që kalojnë këtë fazë kanë gjasa të larta të marrin edhe miratimin përfundimtar.
Në dëgjesën publike të 20 majit në Uashington, Wendt paraqiti vizionin e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe iu përgjigj pyetjeve të senatorëve mbi korrupsionin, SPAK-un, investimet amerikane dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Gjatë paraqitjes para senatorëve, Wendt renditi si prioritete kryesore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, sigurinë kibernetike dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane.
Ai shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, të cilin e cilësoi një institucion të rëndësishëm, duke vlerësuar bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas Wendt, puna e strukturës antikorrupsion mbetet kyçe për sa kohë ajo ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike.
Eric Wendt u nominua nga Presidenti Donald Trump në prill të këtij viti. Ai konsiderohet një figurë me eksperiencë të gjatë në fushën e sigurisë kombëtare, me më shumë se 34 vite karrierë në ushtrinë amerikane. Gjatë karrierës së tij ka drejtuar forcat speciale amerikane dhe operacionet speciale të NATO-s në Europë, ndërsa ka bashkëpunuar edhe me strukturat shqiptare të sigurisë gjatë misioneve të Aleancës.
Nëse konfirmohet nga Senati, Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe teksa vendi avancon drejt anëtarësimit në BE, me fokus te siguria, investimet dhe bashkëpunimi euroatlantik.
Shqipëria nuk ka një ambasador të konfirmuar amerikan që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023.
Komente





