Senatorja amerikane Jeanne Shaheen shprehet e shqetësuar për financimet ruse në Ballkan. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së saj në Tiranë, senatorja Shaheen vlerëson partneritetin me Shqipërinë dhe thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta ndihmojnë atë për të patur një strukturë të sigurtë kibernetike që të mos jetë më shënjestër e sumeve nga Irani apo ndonjë vend tjetër. Zonja Shaheen, njohëse e Ballkanit perëndimor, shprehet se marrëveshja e fundit mes Beogradit e Moskës, shkon kundër interesave afatgjatë të vet popullit serb
Zëri i Amerikës: Senatore Shaheen, kjo është vizita juaj e dytë në Ballkan brenda gjashtë muajve. Cili është qëllimi?
Senatorja Shaheen: Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe do më duhet të vij përsëri për ta parë këtë vend kaq të bukur. Në fakt jam këtu për t’u siguruar që populli në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor të dinë që në Senatin e Shteteve të Bashkuara po i kushtojmë vëmendje asaj që ndodh këtu. Jemi mirënjohës për partneritetin e Shqipërisë dhe punën që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë bërë ndër vite. Ky është 100-vjetori i marrëdhënieve tona. Dhe ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Shqipërisë në lidhje me luftën në Ukrainë. Dhe ndihmën që i ka dhënë Shteteve të Bashkuara për të rivendosur refugjatët afganë. Pra, vërtet jam këtu për të ndihmuar që t’i kujtoj cilitdo se sa i rëndësishëm është ky partneritet he për të parë se si mund të ndihmojmë nga Shtetet e Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Në muajin gusht, ju së bashku me senatorin republikan Roger Wicker, paraqitët një projektligj për promovimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, për t’ju kundërvënë aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në këtë rajon. Në një raport të fundit, komuniteti i intelligjencës amerikane, përmend disa parti politike në Ballkanin perëndimor, në Shqipëri, Bosnje dhe Mal të zi, se kanë marrë financime nga Rusia. A keni ju më shumë të dhëna, që do të mund t’i ndanit me ne, mbi financimet ruse, dhe sa shqetësuese mund të jetë situata?
Senatorja Shaheen: Nuk kam informacion specifik se sa para kanë marrë. Jam shumë e shqetësuar për të. Ndërsa shohim agresionin e paprovokuar të Putinit në Ukrainë, e dimë që një nga zonat ku ka ai ka pasur interes ka qenë Ballkani Perëndimor, fushatat e disinformimit; sapo pamë një raport se sa shumë para, siç thoni ju, janë shpenzuar në përpjekje për të destabilizuar zgjedhjet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Po shohim përveç kësaj edhe se si njerëzve iu thuhen gënjeshtra, për atë që vërtet po ndodh dhe nëse njerëzit nuk kanë informacionin e saktë, nuk mund të bëjnë zgjedhje të mira. Prandaj, duam që të bëjmë gjithçka mundemi dhe synimi i atij ligji është që të përpiqemi dhe të promovojmë demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe të shohim se si mund të merremi me dizinformimin rus, të shohim se si mund të mbështesim përpjekjet për reforma që po bëhen këtu në Shqipëri dhe kudo në rajon.
Zëri i Amerikës:Një nga synimet e projektligjit është lufta kundër korrupsionit, dhe ju keni propozuar kthimin në ligj, të dy urdhrave ekzekutivë të SHBA-së për sanksione kundër individëve që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin dhe janë të përfshirë në sjellje korruptive. Në Shqipëri, kemi rastin e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili pas sanksioneve u bë dhe më aktiv në politikë dhe tashmë drejton forcën kryesore të opozitës. Nisur nga kjo, sa efektive janë këto sanksione?
Senatorja Shaheen: Sanksionet janë vetëm një nga mjetet që kemi në politikën e jashtme për t’u përpjekur të ndikojmë atë që ndodh dhe për t’u përpjekur për të çuar më tej, përparimin drejt demokracisë. Dhe duhet të shohim edhe mbështetjen ekonomike që mund të jepet. Duhet të shohim mjetet diplomatike që kemi. Kemi një ambasadore shumë aktive këtu dhe një ambasadë shumë të angazhuar me qeverinë shqiptare. Dhe duhet t’i ndihmojmë votuesit të kuptojnë se cilat janë zgjedhjet që mund të bëhen. E dini, në Shtetet e Bashkuara kemi pasur disa politikanë që janë dënuar për krime, që ishin zgjedhur nga njerëzit. Por zakonisht, votuesit e kuptojnë në zgjedhjet pasuese se një politikan është i korruptuar dhe se nuk vepron në interes të votuesve. Por nëse njerëzit nuk kanë informacionin, nëse nuk e dinë se cilat janë zgjedhjet që mund të bëhen dhe prandaj opozita është shumë e rëndësishme për të shpjeguar se cilat janë ato zgjedhje, në mënyrë që votuesit ta dinë kur të shkojnë për të votuar.
Zëri i Amerikës: Cili është aktualisht statusi i projektligjit tuaj?
Senatorja Shaheen: Ai ka mbështetje dypartiake, kështu që jemi shumë optimistë. Presim një dëgjesë diku gjatë nëntorit pas zgjedhjeve të mesmandatit dhe shpresojmë që do të kalojë përpara fundit të vitit.
Zëri i Amerikës: Serbia është i vetmi vend në Ballkan që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Javën e kaluar, në New York, shefi i diplomacisë serbe nënshkroi një marrëveshje me homologun rus Lavrov, për politikën e jashtme. Në të kaluarën SHBA-të kanë thënë se Serbia duhet ta ndajë mendjen, pasi nuk mund të luajë me dy porta. Cili është mendimi juaj për sjelljen e Serbisë?
Senator Shaheen: Mendoj është diçka e pafat dhe mendoj se është kundër interesave afatgjata të popullit të Serbisë. Fakti është që aspiratat e popullit të Serbisë janë që të shohë nga perëndimi, drejt hyrjes në Europë. Ata kanë aplikuar për në BE dhe po punojnë drejt kësaj. Dhe duhet të ndihen shumë të shqetësuar në lidhje me aktet e Vladimir Putinit në Ukrainë. Është një luftë e paprovokuar agresioni. Çdo mbrëmje në lajmet në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë, shohim pasojat e tmerrshme të asaj lufte ndaj popullit të Ukrainës, varret massive që janë zbuluar, dhomat e torturave. Shohim shkatërrimin e qyteteve në atë vend dhe përpjekjen për ta fshirë kulturën e Ukrainës. Tani, nëse Serbia nuk bën kujdes, mund ta kenë ata radhën. Ky është një nga shqetësimet në lidhje me synimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. E dimë që Vladimir Putin nuk flet për të ndaluar nëse ia del në Ukrainë. Por flet për të rikrijuar Perandorinë Ruse. Që mund të ishte ajo që kishte qenë Perandoria Sovjetike. Ndaj, mendoj se është e rëndësishme për Serbinë, për të gjithë Europën, që të ndërmarrin çdo veprim që të vëmë në pah se Vladimir Putin është i veçuar, se nuk vepron në interes të rendit ndërkombëtar, dhe duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi për ta ndaluar.
Zëri i Amerikës:Senatore, të flasim për vizitën tuaj në Tiranë. Cilat ishin mesazhet tuaja për politikanët shqiptarë?
Senatorja Shaheen: Siç e thashë, ishte për të vënë në dukje partneritetin dhe aleancat që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur në fushat ku punojmë së bashku; 100 vjetorin e marrëdhënieve tona; rëndësinë e faktit që Shqipëria u bashkua me ne në lidhje me luftën në Ukrainë për të mbështetur popullin ukrainas; rëndësinë që ka fakti që Shqipëria mori refugjatët afganë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën dhe po përpiqeshim të ndihmonim njerëzit që kishin nevojë dhe Shqipëria bëri përpara dhe tha do të bëjmë gjënë e duhur dhe do përpiqemi të ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Dhe është e qartë që do të vazhdojmë të punojmë për çështjet ekonomike së bashku, fakti që Shqipëria sapo ka miratuar dy marrëveshje në përpjekje për të diversifikuar ekonominë e energjisë është shumë e rëndësishme – marrëveshjen hidro dhe gazin e lëngshëm me dy kompani amerikane. E vlerësojmë shumë këtë dhe me shpresë do të jetë e dobishme si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Shqipërinë.
Zëri i Amerikës: Shqipëria po strehon afër 2 ose 3 mijë anëtarë të opozitës iraniane, MEK, dhe ndoshta, kjo është arsyeja pse Irani u hakmor duke sulmuar infrastrukturën e saj të informacionit. Shqipëria u përgjigj duke ndërprerë lidhjet me Iranin, por, e vetme, Shqipëria nuk është në gjendje të përballojë sulme të ngjashme në të ardhmen, veçanërisht kur ke të bësh me një shtet si Irani. A jeni e shqetësuar për këtë dhe a po merr Shqipëria ndihmën e nevojshme nga SHBA?
Senatorja Shaheen: Jam e shqetësuar. Përsëris, mendoj se Shqipëria bëri përpara për të marrë iranianët e MEK në një kohë kur po vriteshin, kur ishin në Irak. Dhe Shqipëria tha ne do të ndihmojmë dhe ky është një model i rëndësishëm për t’ia treguar pjesës tjetër të botës. Dhe kur ata sulmohen si rezultat i kësaj, është me rëndësi që ne të veprojmë për t’i ndihmuar. Dhe sollëm ekipe, FBI dhe zyrtarë të tjerë për të ndihmuar për t’iu përgjigjur sulmit kibernetik. Por duhet të bëjmë më shumë. Duhet të ndihmojmë Shqipërinë për t’u siguruar që ka një strukturë të sigurt kibernetike për të ardhmen në mënyrë që të mos jetë shënjestër e sulmeve as nga Irani, as nga Rusia, as nga ndonjë vend tjetër.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje të fundit. Pas zhvillimeve të fundit, autoritetet shqiptare duket se nuk janë dakort që vendi i tyre të përdoret si një bazë ku anëtarët e MEK-ut, të zhvillojnë luftën e tyre opozitare. Kryeministri Edi Rama, është shprehur se kanë nisur komunikimet me ta “për të rivendosur shumë qartë kornizën në të cilën duhet të zhvillohet jeta e këtij grupi në një territor ku Shqipëria ka ofruar mbështetje për t’u siguruar jetën dhe shëndetin dhe jo lëvizjen e tyre politike”. Cili është vlerësimi juaj?
Senatorja Shaheen: Shqipëria do të duhet ta vendosë këtë vetë. Por, unë mendoj se është me rëndësi të vëmë në dukje që kur Shqipëria dëboi diplomatët iranianë, edhe Shtetet e Bashkuara vuri sanksione dhe ne kemi punuar për t’i trajtuar aktivitetet terroriste të Iranit kudo në Lindjen e Mesme dhe kudo në Europë. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.
Zëri i Amerikës: Senatore, shumë faleminderit për këtë intervistë.
Senatorja Shaheen: Faleminderit juve.
amerika shteti me i korruptuar ne bote, ben politike kunder korrupsionin, i. bie qe dhelpra mbron pulat nga ujku
PërgjigjuMe te keqen ashtu eshte. Ne e kuptojme shume po shume mire se sa i korruptuar eshte Rama dhe ceta e tij e hajduteve. Po ja cte bejme qe na eshte fanepsur amerika me do pune te saja dhe e paguan me klering Ramen. Pra me korrupsionin qe ben. Shqetesimin drejt e ke per lekat ruse. Tashi ju ia keni propozuar atyre rusve qe te financonim skuthin tuaj Basha apo si qe ajo pune?
PërgjigjuFinancimet e huaja qofshin ato Ruse apo Amerikane jane te papranushme sepse cenon sovranitetin e vendit dhe rrit varesine e qeveritare e nga sponsorat keshtu qe duhet te ndalohet me ligj
PërgjigjuPo parate e droges a lejohen si financim?