SEQUI: HAPJA E NEGOCIATAVE VAREN NGA ZGJEDHJET 2013, RAMA: JEMI TE KENAQUR
“Fryma e konsensusit, dialogu dua të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ne e dimë që çelja e negociata do të ketë të bëjë dhe me natyrën e zgjedhjeve në Shqipëri, dhe zbatimin e reformave, duke përfshirë atë zgjedhore, pr/ligji për Gjykatën e Lartë, Adminsitratën Publike, Nëpunësi civil. Këto do të jenë tejet të rëndësishme për Këshillin Europian në dhjetor."- tha Sequi në një konferencë për shtyp që po zhvillohet në këto momente në selinë PS.
Nga ana e tij Rama u shpreh i kënaqur dhe e cilësoi si arritje të opozitës“ Jemi të kënaqur si një forcë e dëmtuar seriozisht nga proceset e mëparshme zgjedhore dhe një forcë e interesuar që në Shqipëri të vendoset vullneti sovran , që hapja e negociatave, që është dhe procesi i konkretizimit është e varur nga cilësia e zgjedhjeve. E konsideroj arritje domethënëse e politikës së ndjekur nga ne.
SEQUI: VAZHDONI DIALOGUN PER REFORMAT, RAMA: ME PARE TE LIROJE KESHILLIN E QARKUT FIER
Gjatë takimit i cili u zhvillua në selinë PS, Sequi tha se me Ramën ishte diskutuar përmbajtjen dhe detyrat që lë ky progres raport. Ai shprehu vlerësimin për rolin që ka lozur opozita në këtë proces “Kam shprehur vlerësimin tim të plotë për rolin që ka luajtur opozita për ato arritje që dëshmojmë sot. I shpreha edhe falënderimet e Fyle dhe Saninos për të gjithë punën e bërë dhe rolin e meritat që i përkasin opozitës në këto arritje.”
Sequi bëri apel për vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e konsensusit në zbatimin e reformave siç është dhe miratimi i pr/ligjit për Gjykatën e Lartë, Nëpunësit Civil.
Nga ana e tij kreu i PS-së falenderoi Komisionin Europian për këtë vendim “inkurajues” në favor të Shqipërisë... dhe mbështetjen e pakursyer në të gjithë këtë proces “të vështirë dhe të vështirësuar për shkak të subjektivitetit politik” . Ai u shpreh krenar për rolin që ka lozur opozita duke nënvizuar se nuk heq dorë nga kërkesa drejtuar qeverisë për të liruar këshillin e qarkut të Fierit, jo si një kusht por si një provë për zbatimin e vendimeve të gjykatave.
“Dhjetori është një stacion i rëndësishëm dhe ne vetë presim prova të qarta nga qeveria që ka vullnet, nga njëra anë për të përmbyllur atë që komisioneri e quan paketë e nëntorit të shkuar dhe nga ana tjetër për ti hapur rrugë asaj që në raport konsiderohet një fazë e ligjshmërisë. Për ne do të thotë zbatim pa humbur kohë i vendimit të gjykatave lidhur me qarkun e Fierit. Në këndvështrimin tonë nuk përbën një kusht por kërkesë legjitime dhe një simbolikë shumë e fortë kur flasim për respektim të vendimeve të Gjykatave të Larta. I nënvizova qartësisht ambasadorit që ne jemi tërësisht të angazhuar të vijojmë të japim kontributin tonë e të veprojmë duke parë horizontin dhe prespektivën e Shqipërisë dhe jo llogaritë e politikës së ditës. “- tha Rama.
PROGRES RAPORTI
Sipas këtij progres raporti Shqipërisë do t'i jepet statusi i vendit kandidat në BE vetëm nëse plotëson reformat në drejtësi, miraton pr/ligjin për Gjykatën e Lartë, reformën në administratë, reformën parlamentare dhe përforcon luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kushtet e Komisionit Europian duhet të plotësohen deri në muajin dhjetor, kur rekomandimi i KE-së shkon në tryezën e Këshillit të BE-së, dhe vendet anëtare duhet të marrin një vendim përfundimtar nëse Shqipëria i ka plotësuar ato. Sequi i dorëzoi dje raportin edhe kryeminsitrit Berisha, Presidentit Bujar Nishani dhe kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, e ministrit të Jashtëm Edmond Panariti.
(sg/shqiptarja.com)