TIRANE - Fjala e plotë e Ambasadori të BE-së, Ettore Sequi, sot, gjatë takimit me gratë parlamentare.

"Zonja! Faleminderit të gjithave për pjesëmarrjen – është një nder për mua ta nis Ditën Ndërkombëtare të Grave me ju. Shkaku është i thjeshtë: ju jeni provë e asaj për çka janë të afta gratë në Shqipëri dhe në mbarë botë, si dhe provë e përpjekjes së tyre për të gëzuar të drejta të barabarta dhe për të përmbushur potencialet e tyre. Edhe ju vetë e keni kaluar këtë përpjekje – ju është dashur të fitoni mbi diskriminimin për të përfaqësuar votuesit në parlament. Ju është dashur të kapërceni barrierat e padukshme.

Forca e një gruaje nuk matet me efektin që kanë pasur mbi të gjitha vuajtjet e jetës, por forca e një gruaje matet me shkallën e refuzimit të saj për të mos lejuar që këto vuajtje të diktojnë mbi të dhe mbi atë çka ajo do të bëhet.

Vetë përpjekja juaj për t’u bërë avokate të votuesve tuaj është gjithashtu një mundësi dhe përgjegjësi që të gjitha gratë e Shqipërisë t’i kapërcejnë barrierat e padukshme. Fitoret tuaja nuk janë të plota sepse ato mbeten individuale. Ju duhet të vazhdoni përpjekjen për barazi gjinore derisa të gjitha gratë në Shqipëri të jenë në gjendje të përparojnë në të gjitha fushat e jetës – politikë, industri, media, shkencë, etj.

Ju përbëni vetëm 16.7% të parlamentit. Gratë përbëjnë vetëm 1.31% të kryetarëve të bashkive dhe komunave. Popullsia femërore e Shqipërisë është afërsisht 50%. Ju jeni zëri i pjesës pa zë, ndonëse të madhe, të shoqërisë.

Të dhënat për barazinë gjinore në nivelet e larta legjislative dhe ekzekutive pasqyrojnë gjendjen e grave në shumë sektorë të tjerë. Shumica e grave në Shqipëri vazhdojnë të jenë një burrë larg mirëqenies. Këto të dhëna janë tregues të fuqishëm të punës që ju pret, të të drejtave për të cilat duhet luftuar ende – e magnitudës së detyrës suaj.

Shtimi i të drejtave të grave është një përparësi e madhe e agjendës evropiane. Bashkimi Evropian mbetet mjaft i ndjeshëm ndaj fuqizimit të plotë politik, social dhe ekonomik të grave – brenda Bashkimit Evropian dhe globalisht. Të drejtat e grave në Shqipëri janë në fakt pjesë e 12 Përparësive që duhet të trajtojë vendi me qëllim që të hapen negociatat e aderimit.

Siç është dëshmuar nga raste mjaft tronditëse të dhunës me bazë gjinore nëpër botë, përpjekja e grave është një përpjekje globale. Kam vënë re se ndonjëherë sjellja e shembujve ndërkombëtarë në situata të ndryshme në Shqipëri është e ndërlikuar. Disa shqiptarë ndjejnë ose se nuk mund të krahasohen me përparimin e vendeve të tjera ose se nuk mund të zgjidhin atë çka nuk e kanë zgjidhur dot të tjerët.

Por emancipimi i grave është një prej shumë çështjeve ku këto justifikime nuk i qëndrojnë provës së historisë. Shqipëria ka qenë një ndër pararendëset e së drejtës së votës për gratë – gratë shqiptare e kanë fituar të drejtën e votës që më 1920 dhe kjo do të thotë 24 vjet para Francës, 25 vjet para Italisë, 26 vjet para vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe 51 vjet para Zvicrës.

Shqipëria ka qenë një nga pararendëset gjatë asaj faze të parë të të drejtave të grave dhe nuk ka arsye të mos vazhdojë me këto rezultate të mira edhe me sfidat aktuale – dhunën me bazë gjinore, fuqizimin ekonomik dhe politik.

Fakti që gratë në Shqipëri e kanë fituar të drejtën e votës në një periudhë aq të vështirë sa viti 1920, tregon se sa shumë mund të bëni për shoqet tuaja me zërin tuaj në partitë tuaja dhe në parlament. Ky vit është një vit veçanërisht i mirë për të demonstruar rëndësinë që i jepni barazisë mes burrave dhe grave. Unë ju nxis ta ndiqni kauzën e të drejtave të grave, kauzën e të drejtave tuaja brenda partive tuaja, duke nisur me listën e kandidatëve për zgjedhjet e qershorit 2013.

Ka zëra që e kundërshtojnë kuotën gjinore si një mekanizëm të mirë për të shtuar të drejtat e grave. Kjo është koha e duhur për të vërtetuar se këto zëra gabohen. Nuk ka dyshim se numrat kanë forcë – dhe sa më shumë të jeni në parlament, aq më të suksesshme do të jeni në trajtimin e dhunës gjinore dhe diskriminimit.
Mbështeteni respektimin e barazisë gjinore që është në frymën e Kodit tuaj Zgjedhor – kjo do të demonstronte vendosmërinë tuaj për të përkrahur kauzën e grave edhe pas zgjedhjeve.

Shqipërisë nuk i mungojnë gratë e zgjuara, të angazhuara dhe provokuese nga ana intelektuale – sillini në parlament dhe në qeveri, jepuni zë. Presim me padurim të raportojmë në vjeshtë 2013 se Shqipëria e ka përmbushur apo tejkaluar kuotën gjinore.
Kujtoni atë çka thoshte Eleonorë Rusvelti: “Askush nuk mund t’ju bëjë të ndiheni inferiorë pa pëlqimin tuaj”.


Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)