Aleanca ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës ka trembur Milorad Dodiku në Republikën Serpska i cili sot ka bërë të ditur se do të thërrasë një takim me Aleksandër Vuçicin për të dalë me një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë kërcënim që sipas tij po i kanoset botës serbe.

“Në seancën e Kryesisë së Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, diskutuam gjithashtu ndikimin e aleancës ushtarake të Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës. Arritëm në përfundimin se ajo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Republikën Serbe”, shkroi Dodik në rrjetin social X.
На сједници Предсједништва СНСД-а разматрали смо и утицај војног савезa Загреба, Тиране и Приштине. Закључили смо да он представља директну опасност по Републику Српску. Тај савез је својим карактером и циљевима конципиран тако да буде усмјерен против Срба.
Донијели смо одлуку…— Милорад Додик (@MiloradDodik) March 31, 2026
Në të njëjtën linjë paranojake janë edhe deklaratat që vijnë nga Beogradi. Mitar Kovaç, anëtar i Komisionit parlamentar për Mbrojtjen në Serbi, tha sot se kërcënimi është real dhe kërkoi reagim të menjëhershëm.
“Rreziku që aleanca ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës përbën për Republika Srpska është real dhe për këtë arsye duhet të organizohet sa më parë një takim mes liderëve të Serbisë dhe Republika Srpska, por mundësisht edhe një takim trilateral me Hungarinë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se koha e këtij takimi duhet vlerësuar me kujdes dhe nuk përjashtoi mundësinë e një koordinimi më të gjerë me Hungarinë e Viktor Orbanit.
“Nuk jam larg idesë që, duke qenë se Republika Srpska dhe Serbia kanë marrëdhënie shumë të mira me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, mund të presim momentin e duhur dhe të organizojmë një takim trilateral në atë nivel”, tha Kovaç.
Sipas tij, Republika Srpska është më e rrezikuara nga kjo aleancë dhe Serbia duhet të kërkojë aleanca të tjera në rajon, jo vetëm me Hungarinë por edhe me Italinë.
“Kjo aleancë nuk u ngrit më kot dhe as nuk është e natyrshme, përkundrazi doli nga ndikimi i disa prej vendeve europiane, siç është Britania e Madhe dhe Gjermania”, u shpreh ai, duke kërkuar që Serbia të dalë sa më parë me një qëndrim zyrtar për këtë çështje.

Në të njëjtën vijë u shpreh edhe profesori i sigurisë Miroslav Bjegoviç, i cili deklaroi se “formimi i kësaj aleance ushtarake është një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin territorial të Serbisë dhe Republika Srpska”.
Ai shtoi se Serbia dhe Republika Srpska duhet të bien dakord për veprime të përbashkëta në mbrojtje të territorit dhe interesave të tyre.
“Është e qartë çfarë duan të arrijnë Kroacia, Shqipëria dhe i ashtuquajturi Kosovë, ndërsa përgjigjja jonë duhet të jetë forcimi i kapaciteteve mbrojtëse”, deklaroi ai.
Autoritetet në Tiranë, Prishtinë dhe Zagreb kanë sqaruar me kohë se marrëveshja e nënshkruar më 18 mars 2025 nuk është një aleancë ushtarake klasike, por një platformë bashkëpunimi që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e ndërveprimit dhe zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta.
Komente










