Deklarata e ambasadorit gjerman në Beograd, se bombardimi i Jugosllavisë nga NATO ka qenë i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin në Kosovë ka nxitur reagime të shumta në Serbi.

Ministri serb i Drejtësisë Vladimir Leposaviuç, deklaroi se Schieb duhet të kërkojë falje për deklaratën e tij, ndërkohë që ka zëra të shumtë të cilët e përmendin dëbimin ambasadorit gjerman nga Serbia.

“Është një hap larg dëbimi i Ambasadorit, vendi i të cilit ka marrë pjesë aktivisht në krijimin e kaosit në Ballkan, tre herë gjatë shekullit të kaluar”, ka shkruar Sasha Raduloviç udhëheqës i lëvizjes “Mjaft është mjaft”.

Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje e diskutueshme, megjithatë thotë se reagimi ishte i nevojshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe gjenocidin në Kosovë.

“Unë jam në dijeni që ishte një çështje e diskutueshme dhe që s’kishte vendim të Këshillit të Sigurimit por disa vendime duhet marrë, qëllimi ishte shmangia e një katastrofe humanitare, shmangia e gjenocidit”, ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës.