Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetim paraprak për pretendimet e Nenad Rashkoviçit, një banor i fshatit Dren në komunën e Zubin Potokut, i cili thotë se është keqtrajtuar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një operacioni në veri të vendit.
IPK bëri të ditur se hetimi është hapur me iniciativë zyrtare për të verifikuar pretendimet dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit. Sipas institucionit, në këtë fazë do të mblidhen prova, dokumentacioni përkatës dhe do të intervistohen personat që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Pretendimet u bënë publike fillimisht nga Lista Serbe, e cila publikoi edhe fotografi ku Rashkoviqi shfaqet me mavijosje në shpinë. Sipas kësaj partie, ai është marrë nga efektivë të Policisë së Kosovës, është dërguar në një zonë pyjore, është lidhur pas një peme dhe është dhunuar me kërkesën që të pranonte se kishte kryer krime lufte ndaj shqiptarëve.
Vetë Rashkoviçi, në deklaratat e mëvonshme për mediat në gjuhën serbe, dha një version me disa dallime nga ai i Listës Serbe. Ai tha se në vendngjarje ndodheshin tre policë, por pretendoi se vetëm njëri prej tyre e kishte goditur. Sipas tij, më pas është liruar dhe është kthyer vetë në shtëpi.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi se policia nuk ka informacione që pjesëtarët e saj të kenë rrahur ndonjë person, por konfirmoi se rasti i është referuar Inspektoratit Policor për verifikim.
Rasti vjen në një kohë kur autoritetet në Kosovë po zhvillojnë kontrolle, arrestime dhe gërmime në zonën e Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve për krime lufte dhe kërkimeve për lokacione ku dyshohet se mund të ndodhen varreza masive nga lufta e viteve 1998-1999.
Për pretendimet ka reaguar edhe EULEX, i cili shprehu "shqetësim të thellë" dhe tha se po e ndjek nga afër rastin. Misioni theksoi se çdo pretendim për keqtrajtim duhet të hetohet në mënyrë të pavarur, efektive dhe në kohë, ndërsa përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi nëse vërtetohen shkelje.
Ndërkohë, Lista Serbe, disa organizata të shoqërisë civile serbe në Kosovë dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë kërkuar hetim të pavarur për rastin.










Komente
Komento