Kontrolli i Policisë së Kosovës në pronën e serbit Nenad Rashkoviç në Zubin Potok lidhet me dyshime se ai mund të ketë fshehur një armë që dyshohet se është përdorur në vrasjen e shqiptarëve në Kalludër dhe Jabukë gjatë luftës së vitit 1999. Kështu bëjnë me dije burime të televizionit Dukagjini brenda organeve të sigurisë.
Sipas këtyre burimeve, bëhet fjalë për një armë të tipit kallashnikov, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ajo ka lidhje me krimet e luftës që po hetohen aktualisht në këtë zonë.
Gjatë kontrollit të zhvilluar të martën në pronën e Rashkoviçit, Policia e Kosovës ka gjetur edhe një pushkë joautomatike. Burimet bëjnë me dije gjithashtu se gjatë operacionit zyrtarët kanë hasur në rezistencën e tij.
Shtëpia e Rashkoviçit ndodhet pranë dy lokacioneve ku ditët e fundit janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se lidhen me krimet e luftës në Kalludër të Vogël dhe Jabukë. Sipas të dhënave të siguruara nga Dukagjini, distanca nga prona e tij deri te njëri prej lokacioneve ku dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të ekzekutuar gjatë luftës është rreth 800 metra.
Zhvillimet e fundit lidhen me hetimet për një prej rasteve të krimeve të luftës në veri të Kosovës. Pas arrestimit të Momir Jakshiçit dhe Miljko Bivasit, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e strukturave të “Mbrojtjes Territoriale”, hetuesit kanë lokalizuar një zonë në Kalludër të Vogël ku dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë në vitin 1999.
Dy të arrestuarit dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në këto struktura, njëri si pjesëtar dhe tjetri në pozitën e komandantit. Pas arrestimeve, ekipet e hetimeve për krime lufte, së bashku me ekspertët forenzikë, kanë nisur kërkimet në zonën e dyshuar për varrezë masive.
Në këtë lokacion dyshohet se janë varrosur 23 anëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve” nga Mitrovica, të cilët u zhdukën më 19 prill 1999, teksa po udhëtonin drejt Malit të Zi.
Hetimet për rastin po zhvillohen në disa lokacione në veri të Kosovës.
Lajmi kryesor:
Në pronën e tij u gjet edhe një armë, serbi në Zubin Potok pretendon se u keqtrajtua pas kontrollit nga Policia e Kosovës, EULEX kërkon zbardhjen e rrethanave









