Serbi-Shqipëri, Bushati: Vetëm
UEFA fitoi, mësim për 2 vendet!

Serbi-Shqipëri, Bushati: Vetëm<br />UEFA fitoi, mësim për 2 vendet!
“Nga ndeshja Serbi-Shqipëri e fituar doli vetëm UEFA e cila mori 200 mijë euro”. Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një intervistë dhënë për BBC, lidhur me incidentin e 14 tetorit në Beograd, si dhe vendimi i marrë më pas nga Komisioni i Disiplinës.

Për kreun e diplomacisë shqiptare, i gjithë incidenti duhet të shërbejë si një mësim i mirë për të dyja vendet, që në të ardhmen të bashkëpunojnë së bashku për projekte konkrete. Dhe siç thekson Bushati kjo për faktin se, të dyja vendet duhet të sheshojnë diferencat, pasi kanë projektin e përbashkët, atë të integrimit në Bashkimin Europian.

“Nga i gjithë incidenti, mund të themi se e fituar doli vetëm UEFA e cila mori 200 000 euro. Ky është një mësim i mirë për të dyja vendet, për të punuar së bashku për projekte konkrete dhe për të sheshuar diferencat. Ne kemi më shumë gjëra të përbashkëta, pavarësisht ndryshimeve. Kur flas për të sheshuar diferencat e kam fjalën për faktin se jemi të dyja vende kandidate që aspirojmë për tu integruar në Bashkimin Europian. Por Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe Serbia jo.” theksoi Bushati

Bushati: Të hapim kapitull të ri marrëdhëniesh me Serbinë
Ministri i Jashtëm duke folur rreth incidentit, tha se Serbia si vend pritës është përgjegjës për sigurinë. Por pavarësisht kësaj, Bushati ripërsëriti vullnetin dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare për të nisur një kapitull të ri marrëdhëniesh me Serbinë.

“Ne jemi të vendosur për një kapitull të ri me Serbinë. Si qeveri kemi dënuar dhunën përpara gjatë dhe pas ndeshjes, ishin të pakënaqshme dhe i kemi kërkuar edhe Serbisë të njëjtën gjë. Unë besoj, se faji i mbetet sipas rregullave Serbisë si vendi pritës i ndeshjes dhe i ngarkuar për të garantuar sigurinë. Megjithatë ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me autoritetet serbe.” tha Ministri

bushati bbc

Bushati: Olsi Rama ngriti dronin? Spekulime të mediave
Ndërsa lidhur me akzuat se ishte vëllai i kryeministrit shqiptar, Olsi Rama ai që ideoi ngritjen e dronit me flamur, Bushati i cilëson këto vetëm spekulime të mediave, ndërsa shpreson që ato të mos jenë të ushqyera nga autoritetet serbe.

“Ata kanë qenë thjesht spekulime të mediave të cilat shpresoj se nuk kanë qenë të ushqyera nga ana autoriteteve të larta serbe. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me autoritetet serbe nëse na ndonjë indicie të tillë.” U shpreh Ministri Bushati

Bushati: Vizita e Ramës do kryhet, të vendosur të ecim përpara
I pyetur nëse ky incident do të ndikojë në vizitën e kryeministrit Edi Rama në Beograd, të hënën e 10 nëntorit, Bushati nënvizoi se vizita do të kryhet. Ai shtoi se të dy kryeministrat kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku kanë rënë dakord për të vazhduar përpara.

“Ne jemi të vendosur për të kryer këtë vizitë edhe pas incidentit, ka pasur telefonatë mes dy kryeministrave dhe kemi rënë dakord për të vazhduar përpara. Shqipëria dhe Serbia janë dy vende kyç për Ballkanin.” nënvizoi shefi i diplomacisë shqiptare

bushati bbc

Bushati: Në BE me viza? Nuk kemi pse ndërtojmë sërish pas 25 vitesh Murin e Berlinit
Në fund të intervistës, Bushati u pyet edhe lidhur me integrimin e mundshëm të Shqipërisë në BE më 2020 dhe ndonjë kufizimi të mundshëm të lëvizjes së lirë të njerëzve në rast të integrimit.

Sipas Bushatit, pyetja nuk është se nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së por se kur. Megjithatë shefi i diplomacisë nënvizoi se 25 vjet pas rrëzimit të Murit të Berlinit, nuk është e nevojshme të ndërtojmë një tjetër. Kjo pasi siç theksoi ai, BE-ja duhet të jetë bashkëjetesë paqësore mes vendeve, dhe vendet duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

 “Unë besoj se nuk është pyetje nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e BE, por se kur. Kjo është shumë e rëndësishme. Para 25 vitesh, rrëzuam Murin e Berlinit dhe tani në këto ditë nuk kemi pse të ndërtojmë një të ri. Unë besoj se BE është bashkëjetesë në mënyrë paqësore dhe mendoj se është më mirë të bashkëpunojmë me njëri tjetrin se sa të zgjedhin të dalin nga BE. Ka një progres një negociatë dhe disa rregulla që na janë vendosur për t’i zbatuar.Unë them se duhet të shohim zgjerimin edhe në këndvështrimin gjeopolitik. Sot Ballkani dhe Europa po përballojnë së bashku vështirësitë gjeopolitike.” përfundoi Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.


Intervista e poltë ministrit Ditmir Bushati

Një gazetar vendas i përshkroi ngjarjet e ndeshjes midis Serbisë dhe Shqipërisë si një marifet të vogël e të pavlerë që shpërtheu fuqishëm. A janë ende të ndjeshme pasojat e këtij shpërthimi sipas jush?

Ne jemi më se të vendosur për të hapur një kapitull të ri në rajon dhe në marrëdhëniet me Serbinë. Si qeveri i kemi dënuar provokimet, dhunën dhe ngjarjet që shoqëruan ndeshjen e futbollit, para, gjatë dhe pas saj. Ato ishin ngjarje shumë të pakëndshme dhe ne u kemi bërë gjithashtu thirrje autoriteteve serbe të bëjnë të njëjtën gjë.

Kjo është një rikujtesë e burimit të tensioneve mes dy vendeve. A keni qenë në gjendje të gjeni se kush në të vërtetë ishte përgjegjës për këtë ngjarje?

Unë besoj se, sipas rregullave, është vendi pritës, në këtë rast Serbia, i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe ne jemi më se të gatshëm të punojmë së bashku…

Besoj se jeni në dijeni se ka pasur raportime për përfshirjen e vëllait të Kryeministrit në këtë ngjarje. A është përjashtuar kjo hipotezë?

Këto kanë qenë vetëm spekulime të mediave, të cilat shpresojmë të mos jenë ushqyer nga zyrtarët serbë, pra të kenë qenë thjesht spekulime. Ne jemi më se të hapur të bashkëpunojmë me autoritetet serbe, në qoftë se ka tregues në lidhje me ...

Sa i përket tensioneve me Serbinë, përmenda në fillim se vizita e Kryeministrit shqiptar duhej në  Serbi, një vizitë që ka munguar prej 68 vitesh, u desh të shtyhej për javën që vjen. A do të kryhet kjo vizitë apo ka ende dyshime për këtë?

Ne jemi shumë të vendosur që ta kryejmë këtë vizitë, edhe pas incidenteve të Beogradit. Ka pasur një telefonatë mes dy Kryeministrave gjatë të cilës ka pasur një mosmarrëveshje mbi ngjarjet që shoqëruan ndeshjen, por nga ana tjetër ka pasur marrëveshje sa i takon kryerjes së kësaj vizite, e cila do të zhvillohet javës që vjen.

Pra vizita do të kryhet? Nuk ka dyshime për këtë?

Vizita do të kryhet. Shqipëria dhe Serbia janë dy vende kyçe të Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi kuptuar, sidomos pas procesit të Berlinit, Konferencës së Berlinit që  u zhvillua në gusht të këtij viti, se ekzistojnë shumë ngjashmëri mes nesh, pavarësisht dallimeve.

Pavarësisht dallimeve, si Serbia ashtu edhe Shqipëria synojnë  të bashkohen me BE-në. A mendoni se ky incident, me tensione të tilla të hapura që u shfaqën qartë në të gjithë botën, mund të dëmtojë aspiratat e të dy palëve për t'u bashkuar me BE-në?

Kjo është e vërtetë, dhe në qoftë se mund të shtoj disa doza cinizmi, do të thoja se vetëm WEFA mori 200.000 euro nga kjo mosmarrëveshje ndërmjet ekipeve tona kombëtare. Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, ky është një mësim i mirë për të dyja vendet, që ata të punojnë së bashku për të zvogëluar dallimet, për projekte konkrete dhe për të avancuar në rrugën e integrimit drejt BE-së.

A e keni fjalën për "Shqipërinë e madhe", kur flisni për zvogëlimin e dallimeve?

Kur unë flas për zvogëlimin e dallimeve, i referohem faktit se Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në BE, ashtu si Serbia. Shqipëria është një anëtare e NATO-s, dhe ajo gjithashtu ka përafruar plotësisht politikën e saj të jashtme, pozicionet dhe qëndrimet e saj me ato të BE-së dhe SHBA-së, sidomos në një kohë krize ndërkombëtare. Për fat të keq, me Serbinë nuk ndodh kështu.


Nëse keni parë ngjarjet e ditëve të fundit në lidhje me tërë këtë diskutim për lëvizjen e lirë dhe atë që Kryeministri britanik Cameron ka folur; Nëse ju do t’i bashkoheni BE-së në vitin 2020, do të jeni në gjendje të pranoni çdo kufizim mbi lëvizjen e lirë?

Unë mendoj se nuk ka pikëpyetje nëse Shqipëria apo Ballkani do t’i bashkohen BE-së, ka vetëm një pyetje, që lidhet më faktin se "kur" do të ndodhë. Kjo është shumë e rëndësishme.


Por do të pranonit ju ndonjë përjashtim në lidhje me lëvizjen e lirë apo jo?

Praktika e raundeve të zgjerimit na ka mësuar se nevojitet vullneti i të dy palëve. Ky është një proces negociimi dhe ka disa kufizime të vendosura nga shtetet anëtare të BE-së, dhe ne e kemi parë këtë edhe në raundet e tjera të zgjerimit.

Në qoftë se pranohen disa nga vendet e varfra në Evropë, kjo do të krijonte një efekt të pashmangshëm, ku shumë njerëz do të shkonin nga vendet e varfra në vendet e pasura. A nuk është e pashmangshme?

Unë mendoj se duhet ta shohim zgjerimin edhe përmes lenteve gjeopolitike, sepse 25 vjet më parë, Muri i Berlinit ra, dhe nuk duhet të ndërtojmë një mur tjetër në Evropë, sidomos në ditët e sotme kur Ballkani dhe Evropa po përballen me sfida gjeopolitike, veçanërisht me një kërcënim që vjen nga Lindja dhe Jugu.

Ata që janë kundër lëvizjes së lirë, a duhet të largohen nga BE-ja, apo kanë të drejtë të thonë: "Le të përpiqemi të ndryshojmë rregullat"?


Unë besoj se BE-ja është një bashkësi e udhëhequr nga konsensusi, dhe mendoj se është shumë më mirë që nevojat e vendit të rregullohen në përputhje me realitetin e sotëm dhe jo nëpërmjet daljes nga kjo bashkësi.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Lezhë/ Përshtatën garazhin për prodhim narkotikësh, në pranga 3 të rinj! Sekuestrohen doza kanabisi, 1 armë zjarri dhe 2 radio marrëse-dhënëse

Lezhë/ Përshtatën garazhin për prodhim narkotikësh, në pranga 3 të rinj! Sekuestrohen doza kanabisi, 1 armë zjarri dhe 2 radio marrëse-dhënëse