Serbia po akuzohet sërish për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Debati vjen pasi Beogradi zyrtar u bëri thirrje publikisht serbëve të Kosovës që të votojnë Listën Serbe, duke deklaruar se vetëm fitorja e saj garanton “mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
Paralelisht me këtë thirrje, disa zyrtarë serbë në komunat ku dominon Lista Serbe janë shkarkuar nga vendet e punës, zhvillim që po shihet si presion politik ndaj komunitetit serb në prag të zgjedhjeve, tw tretat nw 16 muajt e fundit..
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, i cili drejton edhe Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, tha për RTV21 se Serbia po ushtron trysni të vazhdueshme mbi serbët lokalë dhe se procesi zgjedhor nuk ka qenë asnjëherë realisht i lirë.
“Këto ndërhyrje ndikojnë në zgjedhje. Votimi s’ka qenë i lirë asnjëherë. Si mendoni të ketë zgjedhje normale politike kur keni vende ku cenohen në mënyrë agresive të drejtat e njeriut”, deklaroi Rashiq për RTV21.
Edhe drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, paralajmëroi se në ditët në vijim mund të shtohen format e presionit dhe ndërhyrjes nga Serbia.
“Në ditët në vijim presim të ketë forma të tjera të kërcënimeve, shantazheve dhe tentime për blerje vote”, tha ai për RTV21.
RTV21 raportoi se ka kërkuar informacion edhe nga Policia e Kosovës lidhur me masat për sigurinë e procesit zgjedhor dhe ndërhyrjet e mundshme nga Serbia, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Ndërhyrjet e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë janë përmendur edhe më herët në raportet ndërkombëtare. Në raportin e Bashkimit Europian për vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 2025 janë evidentuar raste të presionit ndaj votuesve serbë, sidomos ndaj qytetarëve që varen nga ndihma sociale apo punësimi në institucionet lokale.
Komente






