Serbia ka tendencë për të shmangur e vonuar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, pasi në këtë mënyrë, ata ofrojnë hapësirë për zhvillime negative në komunat veriore. Me këtë ata tregojnë se ende kanë synime për të ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës.

Sikurse ben te ditur KosovaPress, shqetësuese për Kosovën jane edhe pengesat në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të normalitetit në katër komunat veriore të Kosovës, të shkaktuara nga kryetarët ilegale të komunave, grupet paramilitare dhe kriminale, të cilat kanë penguar progresin e komunitetit serb në Kosovë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë personelin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, siç u dëshmua së fundmi me EULEX-in.

Në qershor, situata u tensionua në Mitrovicë, e shkaktuar nga heqja e njëanshme e një barrikade në Urën e Ibrit dhe vendosja e të rejave, që përkeqësuan situatën e sigurisë në pjesën veriore, e që qeveria e Kosovës pati sukses në frenimin e tensioneve duke vepruar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Kjo rezultoi me marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjen e barrikadave dhe për të siguruar se kjo urë përfundimisht do të bëhet një urë e lirisë së plotë të lëvizjes në përputhje me standardet e BE-së.
Kështu thuhet në Raportin e paraqitur pranë Bashkimit Evropian "Raportin mbi rrjedhat e dialogut të Brukselit dhe procesin e zbatimit të marrëveshjeve për periudhën Janar - Shtator 2014", të nënshkruar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që paraqet vlerësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut të Brukselit për periudhën janar-shtator 2014.

"I theksojmë me shqetësim tendencat për të shmangur ose vonuar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, pasi që ato ofrojnë hapësirë për zhvillime të ndryshme negative në komunat veriore dhe tregojnë se Serbia ende nuk ka ndalur synimet për ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të Kosovës. Në këtë periudhë, ne vëmë në dukje me shqetësim pengesat në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të normalitetit në katër komunat veriore të Kosovës, të shkaktuara nga kryetarët ilegal të komunave, grupet paramilitare dhe kriminale, të cilat e kanë penguar progresin e komunitetit serb në Kosovë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Këto struktura poashtu vazhdojnë të rrezikojnë personelin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, siç u dëshmua së fundmi me EULEX-in , e po ashtu edhe disa barrikada që vazhdojnë të pengojnë lirinë e lëvizjes", thuhet në raport.

Ndërsa, sa i përket rezultateve të dialogut, thuhet se më shumë rezultate janë arritur në procesin e zbatimit se në zgjidhjen e dallimeve të mbetura sa i përket planeve të zbatimit, duke përfshirë çështjet drejtësisë dhe çështjet e sigurisë për pjesën e shpërbërjes së të ashtu quajturës"struktura serbe të mbrojtjes civile" dhe në hartimin e planit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Progres i mirë thuhet se është bërë në çështjet e sigurisë. Mbyllja e strukturave paralele të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në pjesën veriore të vendit tonë dhe integrimi i plotë i personelit serb në Policinë e Kosovës, duke përfshirë procesin e gradimit të tyre në bazë të ligjit të Kosovës dhe të Marrëveshjes së Brukselit, ofron cilësi shumë më të mirë të sigurisë për të gjithë.

Në raport vlerësohet se ka pasur progres edhe në IBM. "Përparim është bërë edhe në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e integruar të kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve (IBM), ku është dakorduar dhe nënshkruar marrëveshja për ndërtesa të përhershme për gjashtë pikëkalime kufitare të IBM-it (shtator 2014)".

Arritje tjetër përmendet edhe fillimi i bashkëpunimi në çështjet e energjisë në mes të dy shteteve, e ndërsa operatorët ilegal serb, thuhet se do të largohen për të lejuar normalizimin e situatës së energjisë në pjesën veriore të Kosovës. Thuhet se qeveria e Kosovës, ka ndjekur mënyra të ndryshme për t'ia komunikuar Brukselit nevojën për përshpejtimin e procesit të zbatimit, duke përfshirë disa vizita në Bruksel për të informuar dhe për të diskutuar mënyrat për të shpejtuar procesin e zbatimit.

Qeveria e Kosovës konsideron se Bashkimi Evropian ka luajtur një rol substancial në lehtësimin dhe përshpejtimin e këtij progresi. Ka arritur të tejkalojë çfarëdo barriere të çfarëdo natyre politike apo teknike, duke përfshirë mungesën e vullnetit të Serbisë për të bashkëpunuar, duke ndjekur një rol proaktiv në komunikimin e qartë të lidhjes midis detyrimeve të palëve nga dialogu i Brukselit dhe perspektivës së tyre evropiane. Ky raport paraqet vlerësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut të Brukselit për periudhën janar-shtator 2014. Raporti shqyrton të gjitha marrëveshjet e Brukselit të arritura në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe Dialogun teknik në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, thekson KosovaPress.

ATSH