Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të premten se Serbia do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në NATO, pas një rezolute të propozuar një ditë më parë, në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA nga tre kongresistë amerikanë, që mbështesin integrimin e saj në aleancën euroatlantike.
“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me ta (NATO). Po bisedojmë me ta, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s, siç janë edhe pesë anëtare në BE, që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, tha Vuçiç raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug“,
Rezoluta e propozuar nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler kërkon mbështetje për integrimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në forcimin e stabilitetit në rajon dhe në kundërshtimin e përpjekjeve destabilizuese.
“Ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.
Dokumenti u bën thirrje gjithashtu katër vendeve të NATO-s që nuk e njohin Kosovën të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre, duke theksuar se kjo është thelbësore për të hapur rrugën drejt anëtarësimit.
“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit në aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh. Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”, ka thënë Self.
Ai shtoi se anëtarësimi i Kosovës është i rëndësishëm për të kundërshtuar ndikimin e kundërshtarëve në Evropë dhe për të mbrojtur interesat e sigurisë së SHBA-së në Evropën Juglindore.
Komente










