Janë 1247 artefakte të Kosovës, të cilat prej Luftës i ka Serbia. Prishtina i ka kërkuar Muzeut Kombëtar dhe atij Etnologjik në Beograd si dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve kthimin e tyre, por pas dy dekadash që gjenden në shtetin fqinj, këta të fundit pretendojnë se tanimë këto artefakte janë pjese e trashëgimisë kulturore e historike të Serbisë.
Çështja është rikthyer këto ditë në vëmendjen e mediave të Kosovës, pas një reagimi të drejtorit të Institutit të Arkeologjisë në Kosovë, Enver Rexhës, i cili ngulmon që qeveria e tij, duhet ta shtrijë debatin me Serbinë, jo vetëm mbi krimet e pretendimet territoriale, por edhe mbi trashëgiminë kulturore.
“Ato artefakte 1274, janë diçka më shumë arkeologjike 676, ndërsa afërsisht 570 janë etnologjike, janë pronë e institucioneve tona, më konkretisht në atë kohë kanë qenë pronë e Muzeut të Kosovës. Ne kemi pasur biseda, kemi pasur takime përmes edhe këto tri katër vite përpara, jo në fund edhe me përfaqësues ndërkombëtarë apo ambasada, që e kemi diskutuar këtë çështje, dhe e fundit ka qenë edhe në Shqipëri një takim që është bërë prej delegacionit kosovar-shqiptar dhe ndërmjetësuesve të tjerë dhe ka mbetur si çështje më shumë politike”, është shprehur Rexha.
Siç përcjellin mediat në Kosovë, nga këto artefakte deri më tani është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, që i përket mijëvjeçarit të katërt para Krishtit dhe është gjendur 67 vjet më parë në vendin e quajtur “Tjerrtorja”, në Prishtinë.

