Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, LSI depoziton në Kuvend projektrezolutën: Shqipëria të dalë nga Ballkani i Hapur

Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, LSI depoziton në Kuvend projektrezolutën: Shqipëria të dalë nga Ballkani i Hapur

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Kuvend një projektrezolutë ku kërkon daljen e Shqipërisë nga Ballkani i Hapur. Projektrezoluta është depozituat nga deputeti Petrit Vasili, i cili përmes një postimi në ‘Facebook’ shkruan se vendi ynë nuk mund të jetë më pjesë e kësaj nisme pasi Sebia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Sipas tij, qëndrimi i vendit tonë në ‘Ballkanin e Hapur’ do ishte një përkrahje e Edi Ramës për Rusinë pushtuese.

“Kam depozituar në Kuvend Amendament Projekt Rezolute, për daljen e menjëhershme nga Ballkani i Hapur. Shqipëria nuk mund të qëndrojë më asnjë minutë të vetme krah Serbisë, që refuzoi sanksionet ndaj Rusisë, agresores së Ukrainës. Qëndrimi në krah të Serbisë në Ballkanin e Hapur, që refuzon sanksionet dhe që demonstron në sheshe pro agresionit rus do të ishte de facto përkrahje e Edi Ramës për Rusinë pushtuese. Ballkani i Hapur dhe prekja e kufijve të Kosovës nga Serbia ishin dy pjese të të njëjtit projekt pushtues dhe destabilizues edhe përpara Ukrainës.

Kosova është goditur pas shpinës nga Ballkani i Hapur në shërbim të synimeve ekspansioniste serbe të ngjashme dhe në sinkron me ato ruse në Ukrainë. Ballkani i hapur ka qenë rrënim për ekonominë shqiptare dhe shkatërrim për fermerët shqiptare. NATO, BE dhe SHBA vendosen sanksionet më të rrepta që historia ka njohur ndërsa Serbia ju kundërvu atyre duke zgjedhur pushtuesit rusë. Parlamenti Europian miratoi një Rezolutë historike lidhur me pushtimin rus të Ukrainës. Nisur nga kjo besoj shumë se të gjithë kolegët deputetë do ta mbështesin këtë Amendament. Do të ishte një turp i pafalshëm vazhdimi i qëndrimit në krah të Serbisë pro Putin nga ana e Qeverisë së Edi Ramës ndaj dalja nga Ballkani i Hapur është i vetmi qëndrim konkret pro NATO, pro BE dhe pro SHBA”, shkruan Vasili.

Kujtojmë që presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk iu bashkua vendeve të perëndimit që vendosën sanksione kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, në Asamblenë e Përgjithshme Serbia dënoi agresion rus ndaj Ukrainës, duke votuar pro rezolutës të propozuar nga SHBA dhe Shqipëria.

Amendamentit i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

AMENDAMENT I DEPUTETIT

TITULLI : "Për daljen e Shqipërisë nga Ballkani i Hapur".

KËRKUESI: Petrit Vasili Deputet i Kuvendit të Shqipërisë

OBJEKTI:  Projekt-Rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS

DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”,

BAZA LIGJORE : Neni 99 pika 3 e Rregullores së Kuvendit.

ARGUMENTIMI I PROPOZIMIT.

Në Kuvendin e Shqipërisë është paraqitur për shqyrtim në seancën plenare të datës 7 mars 2022

një Projekt-Rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS

DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”.

Kjo Projekt Rezolutë paraqitet në një moment shumë kritik të shpërthimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Të gjithë partneret tanë strategjike NATO, BE dhe SHBA kanë mbajtur një qendrim shumë të fortë dhe kane vendosur sanksionet më të forta të para ndonjëherë kundër Rusisë.

Serbia është i vetmi vend europian që nuk ju bashkua këtyre sanksioneve duke demostruar qartë mbështetjen e saj ndaj Rusisë në kundërvënie të plote me të gjithe komunitetin ndërkombëtar euroatlantik edhe pse formalisht Serbia ka hapur negociatat për anetarësim në BE.

Vendosja de facto, por edhe de jure e Serbisë pro agresionit rus në Ukrainë e vë në një pozicion shumë të rëndë Shqipërinë e cila është bërë pjesë aktive e nismës së Ballkanit të Hapur.

Kjo nismë është kritikuar rreptë nga opozita por edhe nga shoqëria civile në Shqipëri sepse ishte një nismë antieuropiane dhe proruse. Koha provoi vërtetësinë e këtyre shqetësimeve madhore. Kjo nismë dëmton rëndë interesat ekonomike të Shqipërisë dhe veçanërisht bujqësinë shqiptare dhe jetesën e mijra fermereve gjë që është provuar realisht dhe ka nxitur reagimin e fortë dhe legjitim të tyre.

Nisma ka qënë një shërbim i madh që qeveria shqiptare i bën projekteve të njohura famëkeqe serbe të Jugosllavisë së re, ndryshimit te kufijve të Kosovës dhe mosnjohjes së pavarësisë së saj.

Ndaj është tërësisht e papranueshme në planin kushtetues, politik dhe moral, vazhdimi i mëtejshëm nga ana e qeverisë të pjesmarrjes në nismën e Ballkanit te Hapur.

PËR KËTO ARSYE:

Në mbështetje  te Nenit 99 pika 3 e Rregullores që percakton se:

"3.  Amendamentet  me  shkrim  për  projektrezolutën  ose  projektdeklaratën  duhet  të  jenë  të regjistruara  në  Sekretariatin  për  Procedurat  dhe  Votimet  të  paktën  24  orë  para  kohës  së  caktuar  për zhvillimin  e  debatit  dhe  t’u  jenë  shpërndarë  deputetëve.  Pas  përfundimit  të  debatit  të  përgjithshëm, autori  i  amendamentit  ka  të  drejtë  të  paraqesë  propozimin  e  tij  për  jo  më  shumë  se  5  minuta  dhe  çdo deputet  ka  të  drejtë  të  diskutojë  deri  në  5  minuta  për  amendamentin  e  paraqitur", ju paraqes Amendamentin e mëposhtëm për t’u shtuar në tekstin e Projekt-Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS

DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”.

AMENDAMENT:

Duke vlerësuar më shumë shqetësim se:

-Serbia është vendosur qartë dhe publikisht kundër sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian dhe SHBA ndaj Rusisë si agresore ndaj Ukraines.

-Në Serbi janë mbajtur demostrime të gjera publike në mbështetje të agresionit të Rusisë në Ukrainë, po kështu edhe mjaft media janë vendosur në mbështetje të hapur të këtij agresioni.

-Ballkani i Hapur është provuar gjërësisht si një veprim politik dhe shtëtëror me pasoja tepër negative për interesat ekonomike të Shqipërisë dhe të individëve e veçanërisht të fermerëve shqiptarë.

-Ballkani i hapur ka pasur një qëndrim të hapur agresiv, te njëanshem dhe diskriminues ndaj Kosovës duke minuar proçesin e njohjes së saj dhe duke i shërbyer objektivit të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë dhe integritetit terrotorial të Kosovës.

-Ballkani i Hapur është demostruar qartë si një veprim politik dhe shtëtëror, që ka krijuar premisa për destabilizim dhe jo unifikim ndaj edhe nuk është mbeshtetur nga Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi.

-Ballkani i Hapur ka krijuar veprime politike të qëllimshme paralele , që kanë minuar në mënyrë tepër të rrezikshme proçesin e Integrimit në Bashkimin Europian, i cili përfaqëson njëherazi edhe garantuesin dhe mbështetësin më të madh politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Duke u shfokusuar dhe devijuar në këtë mënyrë veprimin nga prioriteti madhor dhe i patjetërsueshëm i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, i është hapur rruga realizimit të interesave të përbashkëta, të njohura botërisht, serbo-ruse në Ballkan.

- Ballkani i hapur e vendos Shqipërinë në krahë të Serbisë, e cila është vendosur në mbështetje  të agresionit rus në Ukrainë dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për cdo shqiptar.

Kuvendi i kërkon Qeverisë shqiptare:

Daljen e menjëhershme të Shqipërisë nga Nisma e Ballkanit të Hapur.

Shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve, vendimeve të qeverisë dhe nismave ligjore të marra në kuadrin e Ballkanit te Hapur.

Ndalimin e çdo veprimtarie dhe instrumenti të ngritur në funksion dhe në zbatim të vendimeve dhe akteve, që lidhen me Ballkanin e Hapur.

Ti kërkohet Bashkimit Europian aplikimi i procedurave të përshpejtuara për hapjen e Negociatave për Anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • USA: 06/03/2022 09:58

    Do ishte nje gabim shume i madh ballkani i hapur! Si Nuk e kupton Edi Rama qe ballkani i hapur eshte nje gracke e Serbise! Do ti hapesh porten Serbit dhe Rusit te vije ne vendin tome! Kjo do ishte nje tradhetti!!! Nuk na duhet ballkani i hapur! Cuditem me kembenguljen e Edi Rames! Nuk e sheh Ai si eshte serbii??? Populli yne Nuk e do kete , jemi miree shume keshtu!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja