Rreth 8000 pronarë biznesesh dhe punonjësit e tyre nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ditën e djeshme udhëtuan në Beograd dhe Nish për të marrë vaksinat kundër COVID-19.

Rreth 10.000 doza të vaksinës AstraZeneca u siguruan nga Forumi Rajonal i Investimeve për Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me qeverinë serbe, megjithatë e vetmja që refuzoi të ishte pjesë e nismës ishte Kosova.

Dhoma serbe e Tregtisë deklaroi se thirrjes së tyre iu përgjigjën 7,500 biznesmenë nga Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina.

“Serbia po bëhet sërish qendra e rajonit,” deklaroi drejtuesi i Dhomës së Tregtisë.

Serbia me një popullsi prej 7 milionë banorësh është shteti i dytë ne Evropë me ritmin më të shpejtë të vaksinimit pas Britanisë, pasi ka administruar më shumë se 2.1 milionë doza dhe në vend përdoren vaksina të Astrazeneca, Pfizer, Sputnik V dhe Sinopfarm.

Serbia ka konfirmuar mbi 5,100 viktimave të COVID-19, por në bilancin për frymë, vendi e ka menaxhuar më mirë situatën krahasuar me shtetet e rajonit, edhe më mirë se Shqipëria.