Varrimi me nderime shtetërore i Ratko Mlladiçit në Serbi ka sjellë një reagim të ashpër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai e cilëson ceremoninë si dëshmi se Beogradi nuk është më vetëm në fazën e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, por ka kaluar në "adhurim shtetëror të genocidit".
" Pardje e kemi shënuar 27 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Të shtunën e kemi shënuar 29 vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe 10 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku. Ndërsa dje, e kemi shënuar ditën e Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës nga viti 1990, apo siç njihet në mënyrë të popullarizuar, të Kushtetutës së Kaçanikut. Në anën tjetër Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës ku u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra e djem, në korrik të vitit 1995.
Gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dëshmuar nga varrezat masive, identifikimet forenzike të mijëra viktimave, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumentimi i hollësishëm i operacionit të vrasjes dhe fshehjes së trupave, jo interpretim historik apo akuzë politike. Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan sistematikisht dhe u hodhën në varreza masive; pastaj shumë prej trupave të tyre u zhvarrosën e u shpërndanë në varreza dytësore e tretësore për t’i fshehur gjurmët e krimit. Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj.
Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi më 2007 se Serbia kishte shkelur detyrimin e saj sipas Konventës së Gjenocidit për ta parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe se, duke mos e transferuar atëherë Mlladiqin për gjykim, kishte dështuar të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin. Shteti që për vite nuk e dorëzoi te drejtësia, dje e solli kufomën e tij me aeroplan qeveritar, e mbështolli me flamur dhe e përcolli me ushtri, ministra, klerikë të lartë e orkestër. Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore.
Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme. Me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë.
Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit" shkroi Kurti në rrjete sociale.
Lajmi kryesor:
BE dënon Serbinë për varrimin e Ratko Mlladiçit, Von der Leyen dhe Costa: Pamjet ishin tronditëse! Bien ndesh me vlerat e Bashkimit Europian







